Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka bërë të ditur se do të mbajë një mini-turne në Japoni muajin e ardhshëm.
Lajmin e ka ndarë përmes një videoje të publikuar në rrjetin social X (ish-Twitter), ku zbuloi se më 15 tetor do të performojë në Tokio, ndërsa më 17 tetor në Osaka.
“Konnichiwa Japan! Jam shumë e emocionuar që do të rikthehem tek ju muajin tjetër. Siguroni biletat tuaja tani sa mundeni”, shkroi Ora në postimin e saj.
Për momentin, janë zbuluar vetëm këto dy data, por pritet që turneu të zgjerohet me edhe dy performanca të tjera në qytete të ndryshme të Japonisë.
Ky turne vjen në një periudhë të ngarkuar për Ritën, e cila është e angazhuar me promovimin e projekteve të saj muzikore të fundit.
Fansat në Japoni presin me padurim rikthimin e këngëtares, e cila ka krijuar një lidhje të veçantë me audiencën aziatike gjatë viteve.
Biletat për këto koncerte janë tashmë në shitje, dhe pritet një interesim i lartë nga adhuruesit e muzikës së saj.