“Demenca e mori ngadalë” Besnik Krapi fjalë prekëse për ndarjen nga jeta të babait të Jonida Vokshit

Mediale Vip

“Demenca e mori ngadalë” Besnik Krapi fjalë prekëse për ndarjen nga jeta të babait të Jonida Vokshit

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 23:44
Besnik Krapi, Jonida

Moderatorja e njohur Jonida Vokshi ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një lajm të hidhur ditën e djeshme, duke njoftuar ndarjen nga jeta të babait të saj. Pas disa javësh qëndrimi në spital, ai u shua, duke i lënë Jonidës dhe familjes një dhimbje të madhe. Me një mesazh emocionues në InstaStory, Jonida shprehu dhembjen e thellë që po përjeton, duke e përshkruar humbjen e tij si një plagë të thellë për shpirtin e saj.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i Jonidës, aktori Besnik Krapi, bëri një dedikim prekës për vjehrrin e tij, duke zbuluar betejën e tij me demencën. “Demenca e mori ngadalë, por kurrë nuk mundi të shuajë dashurinë që ndante me ne,” shkroi Besniku, duke e kujtuar si një baba të dashur dhe të sjellshëm, që e trajtonte si djalin e tij.

"Lamtumirë, Zotni!

Sot humbëm një njeri të veçantë, jo vetëm babain e Jonidës, por një mik dhe një shpirt të dashur. Ai më deshi si djalin e tij, gjithmonë i sjellshëm, me kujtime të mbushura me muzikë dhe tregime.
Emi, cika ime, u rrit me përrallat dhe ninullat e tij që nga lindja.
Demenca e mori ngadalë, por kurrë nuk mundi të shuajë dashurinë që ndante me ne. Për vite të tëra, Jonida, Vjollca dhe Dori u kujdesën për të me durim e përkushtim. E trajtuan me respekt dhe pa zemërim, duke i kthyer gjithë dashurinë që ai u kishte dhënë. Edhe pse demenca nuk është e lehtë për njerëzit përreth tij, ata zgjodhën dashurinë për ta ndihmuar me gjithë shpirtin e tyre.
Dashuria e ndryshon gjithçka. Për dikë me demencë, është si një dritë në errësirë, ajo qëndron me ta kur asgjë tjetër nuk mbetet e qartë. Demenca merr shumë, por dashuria e kthyer mbrapsht u jep një ndjenjë qetësie, edhe kur ndihen të humbur. Ndonjëherë harrojmë sa e fuqishme është dashuria, por në momentet më të vështira, ajo është e vetmja gjë që i mban të sigurt.
Pusho në paqe, Jaja. Kujtimet e tua do të jetojnë gjithmonë me ne, dhe dashuria që ndave mbetet e përjetshme.

Për Jonidën, Vjollcën dhe Dorin: Bravo për gjithçka që keni bërë; ndihuni krenarë për dashurinë dhe përkushtimin e pakushtëzuar që i dhatë deri në fund. Të gjithë ata që kanë të dashur me demencë, mundohuni të ndiqni shembullin e Jonidës, Vjollcës dhe Dorit: ofroni dashuri dhe kujdes të pakushtëzuar, sepse kjo është forca që ndihmon ata të ndihen të sigurt dhe të dashur.

Pusho i qetë Zotni!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat