Policia argjentinase ka nisur një kërkim për një orë që ish-ylli i One Direction mbante disa orë përpara se të binte nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires.
Policia kontrolloi shtëpitë e tre të dyshuarve për vdekjen e Liam, por ora nuk u gjet.
Gazeta argjentinase La Nacion shkruan se janë kontrolluar edhe shtëpitë e dy vajzave me të cilat Liam Payne kaloi orët e fundit të jetës. Ato trajtohen si dëshmitare dhe nuk janë akuzuar.
Hoteli ku vdiq Liam, do të kërkohet sërish për orën Rolex në vlerë 36 mijë euro. Dhoma ku këngëtari ka qëndruar para vdekjes do të kontrollohet në rast se ora është ende aty dhe nuk është gjetur në hetimet e mëparshme. Aktualisht policia dyshon se ora është vjedhur.
"Ne e dimë nga pamjet që janë analizuar se Liam kishte orën në dorë ditën e vdekjes. E kërkuam në dhomën e hotelit, por nuk e gjetëm. Ora u kontrollua edhe në shtëpitë e njerëzve që po hetohen me dyshimin për braktisjen e Liam dhe furnizimin e tij me drogë, si dhe në shtëpitë e dy grave që ishin në dhomë me Liam ditën që ai vdiq”.
Dhoma e hotelit është ende e vulosur me vendim gjykate dhe askush nuk mund të hyjë.
“Kërkimi për orën në shtëpitë e njerëzve me të cilët Liam ishte në kontakt para vdekjes së tij ishte një prioritet fillestar, por tani do të kryhet një inspektim i mëtejshëm për të parë nëse ajo kishte mbetur diku në dhomën e tij”, tha policia.
Sipas raporteve të ABC World News dhe gazetës argjentinase La Nación, në ldihje me rastin janë tre të dyshuar - dy punonjës të hotelit dhe miku i Liam, i cili dyshohet se paraqitej si menaxheri i tij.
Dy punonjës hoteli akuzohen se kanë furnizuar Liam me lëndën narkotike që iu gjet në trup pas vdekjes. Megjithëse autopsia e Payne tregoi se ai vdiq nga lëndimet e shumta, një raport toksikologjik nga Zyra e Prokurorit Kombëtar detajoi se "kokaina rozë", e cila është një kombinim i metamfetaminës, ketaminës dhe MDMA, u gjet në sistemin e tij.
Personi i tretë i dyshuar është shoku i supozuar i Liamit, një biznesmen që kalonte çdo ditë me të kur ai ishte në Buenos Aires. Ai u akuzua për neglizhencë dhe braktisje të Liam, mos informimin e familjes së këngëtarit se kishte pasur probleme dhe kishte përdorur drogë, duke çuar në vdekjen e Liam. Për këtë akuzë është paraparë dënim me burg nga pesë deri në 15 vjet.