Selena Gomez ka gjetur një magji të rrallë te Benny Blanco.
Në një intervistë për Hollywood Reporter, ylli i "Only Murders in the Building" u pyet pse ka vendosur të ndajë detaje nga lidhja e saj me publikun, pasi më parë ishte shumë e rezervuar për jetën e saj sentimentale.
"Besoj se kjo është lidhja ku jam ndier më e sigurt ndonjëherë, dhe e shoh një të ardhme me këtë person," u shpreh Gomez me sinqeritet.
Këngëtarja 32 vjeçare nisi të takohej me Blanco, 36 vjeç, në korrik të vitit 2023, por ata nuk e bënë publike romancën deri në dhjetor të atij viti.
Që atëherë, Gomez dhe producenti kanë ndarë momente të vogla nga marrëdhënia e tyre në rrjete sociale — një mënyrë që, sipas saj, i ndihmon të ruajnë qetësinë.
"Kur ndan diçka me publikun, njerëzit nuk janë aq të etur të të ndjekin me çdo kusht," tha ajo. "Nëse dëgjojnë diçka, janë të interesuar, por nëse u thua vetë, 'Po, ja, dola në Sushi Park,' ata thjesht e pranojnë dhe nuk të ndjekin më me të njëjtin intensitet."
Pavarësisht famës së saj prej mbi 20 vitesh, Gomez thotë se "ende ndien se ka një jetë private."
"Kam vende ku shkoj dhe askush nuk më shqetëson," tha ajo, duke shtuar se "ka shumë gjëra nga marrëdhënia jonë që njerëzit nuk i shohin."
Përveç përmbushjes në jetën personale, karriera e Gomez ka njohur një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit — nga arritja si miliardere falë linjës së saj të bukurisë, Rare Beauty, deri te nominimi i saj i parë për Emmy.
"Jam shumë e lumtur në çdo aspekt të jetës time tani, dhe jam krenare për sa larg kam arritur," tha ajo. "Ndjehem e shëndetshme. Ndjehem e lumtur. Ndjehem e qetë."
Megjithëse ajo dhe Blanco nisën të takoheshin vitin e kaluar, ata kishin vite që njiheshin dhe madje bashkëpunuan në vitin 2019 me J. Balvin dhe Tainy për këngën “I Can’t Get Enough.”