Selena Gomez: “Përpiqem t’i qëndroj besnike vetes, por kam probleme me vetëvlerësimin”

Mediale Vip

Selena Gomez: “Përpiqem t’i qëndroj besnike vetes, por kam probleme me vetëvlerësimin”

Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 23:15
Selena Gomez

Nuk mjafton të kesh 423 milionë ndjekës, një karrierë muzikore, një markë bukurie, një serial të suksesshëm dhe të fitosh çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Kanës për të qenë në paqe me veten. Selena Gomez, gjatë një interviste me shtypin e huaj, prekte vazhdimisht flokët, kërkonte miratim dhe dukej dukshëm e parehatshme, por vazhdonte përpara sepse e dinte që projekti për të cilin po fliste ishte një histori e domosdoshme.

"Emilia Pérez", që do të shfaqet në kinema më 9 janar, rrëfen historinë e një grupi grash jashtë normales, por me të cilat është e lehtë të identifikohesh sepse asnjëra prej tyre nuk është e përsosur. Dhe nëse ka diçka që edhe vetë ish-ylli i Disney Channel ka mësuar, është pikërisht kjo, edhe pse ndonjëherë i duket e vështirë ta pranojë.

Në komedinë muzikore të Jacques Audiard, që kalon në dramë dhe trajton tema delikate si identiteti gjinor, ajo është në shoqëri të shkëlqyer me Zoe Saldana (Avatar) dhe aktoren spanjolle transgjinore Karla Sofía Gascón. Selena interpreton Jessi, një personazh që përballet me një surprizë pas tjetrës, por këtu nuk ka vend për zbulesa të parakohshme.

Çfarë marrëdhënieje keni me veten tuaj?
"Jam në zbulim të vazhdueshëm dhe nuk ndalem kurrë së mësuari, siç më thonë shpesh në xhirimet e Only Murders in the Building. Përpiqem të bëj zgjedhje të qëndrueshme, të jem besnike ndaj vetes dhe ta përdor platformën që kam për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë."

Si lidhet kjo me projektin e filmit?
"Filmi është për gratë që kërkojnë identitetin e tyre sepse askush nuk është i përsosur. Është thelbësore të ndihmojmë ata që ndihen në margjinat e shoqërisë dhe të lënduar."

Këtu shfaqet një version më guximtar i Selenës. A keni pasur dyshime për këtë rol?
"Jo, përkundrazi, isha unë që kërkova të bëja audicion sepse skenari ishte provokues, i guximshëm dhe sfidues. Sigurisht, mund të kishte shkuar keq, dhe nuk flas rrjedhshëm spanjisht, por dhashë gjithçka nga vetja. Me një mësues praktikova gjuhën për një muaj para audicionit, por mendova se më kishin refuzuar sepse harruan të më njoftonin që e kisha kaluar provën."

Cilën pjesë të personazhit tuaj preferoni?
"Vetëbesimin: do të më duhej më shumë sesa kam aktualisht."

Si ia del një popstar jo vetëm të ndryshojë zhanër këngësh për një film, por edhe të shtiret sikur nuk di të këndojë?
"Në fakt, të kënduarit live në një koncert dhe përpara një kamere janë dy gjëra krejt të ndryshme. As në jetën reale nuk më pëlqen karaoke, përveçse nëse jam në një vend ku nuk më njeh askush – atëherë çmendem me ndonjë këngë rap. Fatkeqësisht, nuk e kujtoj herën e fundit që kam marrë pjesë. Fakti që regjisori, për shembull, nuk më njihte ishte një pikë e fortë për mua: ai vlerësoi performancën time, pa diçka te unë dhe më dha besim, duke më parë si vetvetja, pa gjithë zhurmën e jashtme."

Cili është regjisori tjetër me të cilin do të donit të punonit?
"Martin Scorsese: i kam parë të gjitha filmat e tij, janë pjesë e maratonave të mia të kinemasë në shtëpi, dhe do të pranoja çdo zhanër. Do t’i besoja plotësisht."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat