Aktorja dhe moderatorja e njohur, Rudina Dembacaj, ka ndarë detaje të veçanta mbi marrëdhënien e vajzës së saj, Viktoria, me bashkëshortin e saj, Mark Frroku. Në një rrëfim të sinqertë në podkastin “Mamat”, Rudina tregoi se procesi i krijimit të një lidhjeje të ngushtë mes Viktorias dhe njerkut të saj ka zgjatur plot tre vite.
“Viki ka marrë 3 vite kohë për të pasur këtë marrëdhënie që ka sot me bashkëshortin tim,” tha Rudina, duke theksuar se tani ndihen si një familje e vërtetë. Ajo shtoi se Viktoria i trajton fëmijët e Markut si motra dhe vëlla, dhe se të gjithë kanë krijuar një harmoni të veçantë.
Duke folur për martesën e saj me ish-deputetin, Rudina pranoi se për disa njerëz kjo martesë mund të duket e nxituar, por për të, është një vendim i marrë pa frikë.
“Martesa është një institucion që unë nuk e kam aspak frikë. Edhe mund të jetë se nesër mund të pendohem, por nuk më shqetëson. Mund të ketë edhe një divorc tjetër, nuk është asnjë lloj problemi,” deklaroi aktorja me sinqeritet.
Pavarësisht këtyre deklaratave, Rudina beson shumë tek familja që ka krijuar. “Për mua jemi familje. Viktoria nuk e bën dot dallimin, kërkon llogari njësoj për të dyja motrat dhe vëllain. Mendoj se janë motrat perfekte për Vikin,” shtoi ajo.
Sa i përket planeve për një tjetër fëmijë, Rudina pranoi se është plotësisht e lumtur me vajzën e saj, Viktoria. Megjithatë, dëshira e bashkëshortit të saj për të pasur një fëmijë së bashku mbetet e pranishme.
“Kam menduar për fëmijë tjetër, edhe po të dua ta harroj, është im shoq që nuk ka refren tjetër,” tha Rudina me humor. Ajo shtoi se ka dashur fillimisht të krijojë një balancë në familjen e re përpara se të mendonte për një shtesë tjetër.
“Ardhja e një fëmijë tjetër do më bënte mua të parën konfuze. Doja që Viki të rritej pak, nuk e pati fëmijërinë e thjeshtë. Tani, pse jo, por nuk e kam patur ta kërkoj dëshpërimisht. Jam e plotësuar me Vikin. Nëse vjen, mirë se të vijë. Unë se kërkoj, im shoq po, këtu kemi pak problem,” përfundoi ajo.