Eli Malaj, ka ndarë për herë të parë me publikun historinë e ndarjes së prindërve dhe sakrificat që ka bërë nëna e saj për t’i siguruar një jetë më të mirë fëmijëve.
Eli ka rrëfyer se nëna e saj ishte vetëm 24 vjeçe kur u nda nga babai i saj. “Babai është martuar me një zonjë të mrekullueshme, bëri dy fëmijë, i rriti si drita, por nuk patëm fatin të njihnim njëri-tjetrin se janë rritur larg. Nuk jam e penduar, jetës kurrë nuk i dihet, por shyqyr që jam rritur me nënën”, tha ajo, duke treguar se ajo ka pasur një fëmijëri të vështirë, por të mbështetur nga një nënë e fortë.
Eli theksoi se nëna e saj kishte një edukatë të jashtëzakonshme dhe ishte një grua e fortë, të cilën ajo e përshkroi si “burrneshë”. Ajo foli me emocione dhe i dha lavdërime nënës për mënyrën se si ajo arriti të rrisë dy fëmijët e saj pa krijuar asnjë shqetësim për ta. “Nëna ime ka një edukatë dhe është pak t’i thuash burrneshë. 24 vjeçe dhe mos t’u sjellë asnjë shqetësim fëmijëve, sepse fëmija nuk mundet të zgjedhë, s’ka forcë, s’ka takat, vetëm nëna ime e ka bërë”, tha ajo.
Duke u prekur nga emocionet, këngëtarja shtoi se gjatë gjithë kësaj periudhe, ata u përballën edhe me përbuzje dhe fyerje nga disa anëtarë të familjes. Megjithatë, ajo tha se nëna e saj kurrë nuk e ka humbur krenarinë dhe ia ka dalë të rrisë dy fëmijët e saj me sakrifica të mëdha. “Nëna ime ishte zonjë, rriti dy fëmijë, ka shitur gjak, i binte të fikët në rrugë. S’e kam thënë asnjëherë në intervista, nuk është viktimizim. Kjo është çka kaloi nëna ime dhe nëna e shumëkujt, por sa nëna ka që vuajnë?!”
Përmes këtij rrëfimi, Eli Malaj ka treguar një anë të panjohur të jetës së saj dhe ka nderuar sakrificat e nënës së saj, duke theksuar se ajo është një hero i vërtetë për të dhe shumë gra të tjera që kanë kaluar sfida të ngjashme.