Në intervistën e tij në “Natën me Aulonën” në MCN, Vlashent Sata ka hapur zemrën dhe ka ndarë një nga momentet më të vështira të jetës së tij, duke zbuluar se ka kaluar një periudhë të rëndë emocionale.
Edhe pse publiku e njeh si një person karizmatik dhe pozitiv, ai ka treguar se ndjeshmëria e tij artistike dhe humane ka pasur gjithashtu një kosto të lartë, e cila e ka sfiduar në nivele të ndryshme.
Në një intervistë në kolltukun e psikologut në “Natën me Aulonën” në MCN, ai ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës, humbjen e babait.
"Mund të them ikja e babit për shkak se po shihja time më që nuk po reagonte, nuk po kthjellohej dhe të thoshte që shiko se babi nuk na ka lënë kur ne kemi qenë të vegjël ose nuk është se nuk ka jetuar, ose ka ikur 50-60 vjeç nga një sëmundje… im atë ka jetuar 83 vjeç gati, pa dy ditë, por ajo që ishte më e dhunshme ishte se unë nuk i kisha motrat, kam dy motra dhe nuk i kisha këtu dhe më vinte keq se nuk i bëhesha dot krah mamit, ajo ishte e pangushëllueshme. Ime më është një person me një forcë jete, humori dhe dëshire për të qenë pozitive, njerëzit që e njohin dhe ata që më njohin mua, këtë pjesën pozitive e kam marrë nga ajo kështu që është shumë e vështirë të shohësh një person që është gjithmonë pozitiv dhe të jep zemër ty dhe gjithë farefisit, ta shohësh që aty është bërë një copë letër e mbledhur, delikate, e hollë dhe e lehtë sa ta marrë era. Kjo është shumë e vështirë".