Mund të ketë martesë në horizont për Dua Lipën. Këngëtarja e njohur ka publikuar disa foto në Instagram, ku në disa prej tyre shfaqet me një unazë diamanti në gishtin e katërt të dorës së majtë. Kjo ka nxitur menjëherë thashethemet për një propozim të mundshëm martese nga partneri i saj, aktori Callum Turner, që mund të ketë ndodhur gjatë Krishtlindjes.
Edhe pse as Dua dhe as Callum nuk kanë konfirmuar këto zëra, ata gjithashtu nuk i kanë mohuar, duke lënë vend për aludime se një martesë mund të jetë në plan të afërt.
Dyshja janë bashkë prej rreth një viti, duke filluar zyrtarisht lidhjen e tyre në janar 2024. Pavarësisht kohës së shkurtër, burime pranë çiftit kanë treguar se ata janë shumë të dashuruar dhe të lumtur. Dua Lipa filloi romancën me Turner pas përfundimit të lidhjes njëvjeçare me regjisorin francez Romain Gavras. Nga ana tjetër, Callum Turner ka pasur një marrëdhënie më të gjatë, pesëvjeçare, me aktoren Vanessa Kirby, të njohur për rolin e princeshës Margaret në serialin “The Crown”.
Thashethemet për fejesën janë përforcuar edhe nga detajet rreth unazës së diamantit, e cila sipas ekspertëve, është një dizajn klasik me një diamant solitar të vendosur në një unazë të trashë ari. Vlera e saj mendohet të jetë midis 20 dhe 25 mijë paundësh.
Një burim pranë çiftit ka treguar për “The Sun” se: “Ata janë të fejuar dhe më të lumtur se kurrë. Për Dua-n, ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm në karrierën e saj dhe kjo është qershia mbi tortë.”
Tani, mbetet vetëm të presim një konfirmim zyrtar dhe, pse jo, datën e dasmës.