Aktorja e njohur Blake Lively ngriti padi së fundmi kundër aktorit dhe regjisorit të filmit të saj, “It Ends with Us”, Justin Baldoni për ngacmim seksual pas muajsh raportimesh për relacionin e tyre të krisur gjatë xhirimeve.
Ja çfarë dimë për aktorin dhe regjisorin 40-vjeçar.
Djali i Sharon dhe Sam Baldonit, Justin Baldoni u lind në vitin 1984 në Los Angeles dhe u rrit në Medford, Oregon.
Nëna e tij është një stiliste e Feng Shui, sipas informacioneve në Instagramin e saj, dhe babai i tij, përpara se të merrte rolin e producentit për projektet e djalit të tij, duke përfshirë “My Last Days” dhe “Clouds”, ishte kryetar dhe CEO i Baldoni Entertainment, një firmë marketingu dhe argëtimi.
Baldoni është një ndjekës i devotshëm i besimit Bahá’í dhe në disa raste ka shpërndarë postime në rrjetet sociale në lidhje me besimin e tij në fe.
Pasi mori hapat e para në aktrim në një episod të vitit 2004 të telenovelës “The Young and the Restless”, sa ishte i ri ai po ashtu mori role edhe në “Heroes”, “The Bold and the Beautiful” dhe zhvilloi një talk show të quajtur “Man Enough”.
Baldoni u martua me aktoren suedeze Emily Foxler në vitin 2013.
Ajo tani quhet Emily Baldoni në kreditet e saj në projektet filmike dhe televizive si “Agents of S.H.I.E.L.D” dhe “NCIS: Los Angeles”. Ajo gjithashtu aktroi në filmin “It Ends With Us” për të portretizuar rolin e mjekes Julie.
Baldoni dhe gruaja e tij kanë kredite në telenovelën satirike “Jane the Virgin”, shfaqje televizive në të cilën Baldoni njihet për rolin e tij si Rafael Solano gjatë periudhës 2014-2019.
Sipas informacioneve në uebfaqen e kompanisë në LinkedIn, Baldoni bashkëthemeloi studion filmike Wayforever Entertainment në vitin 2013, e cila më vonë prodhoi “It Ends With Us”.
Realizimi i “It Ends With Us”, i bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Colleen Hoover, u rrënua nga thashethemet se Lively dhe Baldoni u grindën gjatë xhirimeve.
Business Insider raportoi se Baldoni kishte qenë larg ngjarjeve të shtypit me anëtarët e tjerë të kastit dhe dyshja nuk u fotografuan së bashku gjatë premierës së filmit.
Në padinë e saj, Lively akuzoi Baldonin për ngacmim seksual, hakmarrje dhe shkelje të kontratës, duke thënë se aktori i shkaktoi “shqetësim emocional” dhe komplotoi për të dëmtuar reputacionin e saj publik në prag të publikimit të filmit. Avokati i Baldonit i ka quajtur pretendimet e bëra në denoncim “krejt të rreme” dhe “qëllimisht të pavërteta”.