Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, i drejtuar nga Arbër Hajdari, ka vizituar banesën e këngëtarit dhe banorit të “Big Brother VIP 4”, Klajdi Musabelliu, në Tiranë. Qëllimi i vizitës ishte inspektimi i kushteve të banesës, për të nisur punën për rikonstruktimin e saj nga themelet.
Gjatë vizitës, Arbër Hajdari u prit ngrohtësisht nga nëna e Klajdit, e cila ndan banesën me djalin. Në spektaklin e datës 1 janar, Klajdi rrëfeu mes lotësh sfidat e vështira të jetës së tij, që përfshijnë papunësinë, emigrimin dhe kushtet e vështira të jetesës.
Ai tregoi se apartamenti ku jetojnë aktualisht ka nevojë urgjente për përmirësime, duke përmendur se “sa herë bie shiu, uji hyn brenda në shtëpi”.
Por ky vit ka nisur me një dhuratë të veçantë për të dhe familjen e tij. Arbër Hajdari dhe “Fundjavë Ndryshe” i kanë premtuar se do të transformojnë plotësisht banesën e tij, duke krijuar një shtëpi të re, të sigurt dhe të pajisur me të gjitha kushtet optimale të jetesës.