Samanta Karavella, e njohur për natyrën e saj të rezervuar, së fundmi ka tërhequr vëmendjen e fansave me një postim në rrjetet sociale. Këngëtarja ka publikuar një foto ku shfaq dorën e saj duke mbajtur dorën e një foshnjeje, të shoqëruar me mbishkrimin e ndjerë: “Dorë biskota ime”.
Kjo ka bërë që ndjekësit dhe fansat të spekulojnë se artistja mund të jetë bërë nënë për herë të parë. Megjithatë, Samanta nuk ka dhënë asnjë konfirmim apo deklaratë zyrtare për këtë lajm, duke e lënë të hapur mundësinë për interpretime.
Në një video të postuar prej saj në shtator, shumë nga ndjekësit nisën të spekulojnë se këngëtarja mund të ishte në pritje të ëmbël. Disa prej tyre vunë re lëvizje dhe detaje që, sipas tyre, sugjeronin se ajo mund të ishte shtatzënë, siç është barku pak i rrumbullakosur.
Vetë këngëtarja nuk ka deklaruar se është në një lidhje romantike, por Samanta u përfol vite më parë se i ka dhënë fund beqarisë dhe është fejuar. Partneri i saj i propozoi këngëtares më 29 dhjetor të vitit 2021 dhe artistja tha ‘po’.
Siç u raportua atë kohë nga mediat rozë, djaloshi quhet Chris Miele dhe ka qenë ai që ka bërë të ditur lajmin për miqtë e tij, duke publikuar disa fotografi në profilin e “Instagram”-it.