Është nominuar dy herë për ‘Oscar’ dhe ka mbi 30 vjet që aktron por Djimon Hounsou ende thotë se ka vështirësi financiare: Nuk jam paguar kurrë sa duhet

Mediale Vip

Është nominuar dy herë për ‘Oscar’ dhe ka mbi 30 vjet që aktron por Djimon Hounsou ende thotë se ka vështirësi financiare: Nuk jam paguar kurrë sa duhet

Më: 16 janar 2025 Në ora: 18:52
Djimon Hounsou

Djimon Hounsou, aktori i njohur për rolet e tij në filma si “The Gladiator” (2000) dhe “Guardians of the Galaxy”, ka pranuar se përballet me sfida financiare pavarësisht një karriere të suksesshme prej tre dekadash në Hollywood.

Në një intervistë për emisionin ‘African Voices Changemakers’ të CNN-it, 60-vjeçari Hounsou theksoi se ndjehet “definitivisht i nënvlerësuar dhe i paguar më pak seç meriton”.

“Ende luftoj për të mbajtur veten”, deklaroi Hounsou. “Jam pjesë e industrisë së filmit për më shumë se 20 vite, kam dy nominime për ‘Oscar’ dhe kam qenë pjesë e shumë filmave të suksesshëm, por vazhdoj të përballem me sfida financiare. Nuk jam paguar asnjëherë aq sa duhet”.

Hounsou gjithashtu foli hapur për racizmin sistematik në industrinë e filmit, duke theksuar se puna e tij nuk është vlerësuar sa duhet për shkak të ngjyrës së lëkurës. “Në Oscar më injoruan sikur sapo të kisha zbritur nga një varkë skllevërish”, tha ai. “Industria ka ende shumë për të bërë për të arritur një diversitet të vërtetë”.

Vështirësitë financiare të aktorit dolën në pah edhe vitin e kaluar kur ai u përpoq të jepte me qira shtëpinë e tij në Westchester, Kaliforni. Prona me katër dhoma gjumi dhe katër banjo, e ndodhur pranë plazhit, fillimisht u ofrua për 12,500 dollarë (12,120 euro) në muaj në shtator 2023. Çmimi më pas u ul në 11,750 dollarë (11,390 euro) dhe më në fund u gjet një qiramarrës në shkurt 2024 për 10,500 dollarë (10,180 euro) në muaj.

Shtëpia, e ndërtuar në vitin 1990, ka një sipërfaqe prej mbi 385 metra katrorë dhe përfshin një sallon të gjerë me tavane të larta, një kuzhinë moderne dhe një oborr të madh.

I lindur në Cotonou, Benin, Hounsou emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 23-vjeçare. Ai realizoi rolin e tij të parë të rëndësishëm në filmin “Unlawful Entry” në vitin 1992, ndërsa fama botërore erdhi në vitin 2000 me rolin në “The Gladiator”. Megjithatë, ai shprehet se suksesi nuk është përkthyer në shpërblim të drejtë financiar. “Më ofrojnë gjithmonë shuma të ulëta dhe më thonë se më vlerësojnë, por nuk mund të paguajnë më shumë”, tha ai.

Hounsou thekson se Hollywood-i vazhdon të vuajë nga probleme të thella me diversitetin dhe barazinë. “Racizmi sistematik nuk do të ndryshojë brenda natës”, paralajmëroi ai. “Koncepti i diversitetit mbetet ende një ide, jo një realitet”.

Ai kujton kohët kur ndihej i izoluar dhe pa mbështetje nga njerëzit e tij, media apo industria. “Dikur ndihesha sikur duhet të isha i lumtur vetëm pse isha nominuar për Oscar, dhe kaq”, tha ai vitin e kaluar.

“Vazhdoj të përpiqem të siguroj një jetë të qëndrueshme. Kam bashkëpunuar me njerëz që janë jashtëzakonisht të pasur, por nuk kam fjalë të mira për ta. Ndihem i tradhtuar, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë profesional”, përfundoi Hounsou.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat