Ish-sulmuesi i Interit, Keita Balde, ka vendosur të hedhë në gjyq Mauro Ikardin dhe Uanda Narën. Sipas tij, ish-çifti i famshëm argjentinas, po përdor imazhin e tij, duke bërë publike e shpërndarë fotot dhe videot që kanë për periudhën kur ai tradhtoi gruan e tij me Uanda Narën.
Ikardi ka përhapur shpesh në rrjetet sociale foto të kamerave të sigurisë të shtëpisë së tij ku shihej Keita Balde, ish-shok skuadre te Interi, në shoqërinë e Uanda Narës, ndërsa pamjet në fjalë kanë qarkulluar edhe në studiot televizive të emisioneve rozë në Argjentinë.
Kjo ka shtyrë Keita Balde që të ndërmarrë nismë ligjore ndaj tyre, duke tentuar që të mbyllet ajo ngjarje e cila solli edhe divorcin e tij me modelen italiane Simona Guatieri.
“Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në të cilat unë, kundër vullnetit tim, jam përfshirë, jam detyruar t’u drejtohem avokatëve të mi, Donatela Minutolo dhe Alesandro Simionato, për të mbrojtur reputacionin tim dhe për të mbrojtur jo vetëm qetësinë e fëmijëve të mi të mitur, por edhe atë të Simonës, e përfshirë pa faj, që me dashuri dhe përkushtim po rrit fëmijët tanë. Shpresoj që spekulimet dhe shfrytëzimi i imazhit tim të pushojnë përfundimisht”, shkruante sulmuesi në rrjetet sociale.