Debati për mëmësinë në BBVA mes Rozanës dhe Gertës ka zgjuar reagime të shumta, përfshirë edhe atë të Egla Cenos. Në një postim të gjatë në Instagram, Egla ndau eksperiencën e saj personale, duke u ndalur te mënyra sesi tema e mëmësisë shpesh përdoret si armë sulmi ndaj grave, veçanërisht në sferën publike.
Egla rikujtoi momentet kur edhe ajo vetë u përball me sulme të ngjashme gjatë qëndrimit të saj në BBVA:
“Kjo ‘tema’ e mëmësisë më prek nga afër që nga momenti kur një femër e pa skrupuj më drejtohej në BBV me: ‘Ti Egla s’ke fëmijë,’ e pastaj të tjerë ‘VIP-a’ e mbajtën si refren, sepse nuk dinin çfarë tjetër të më thonin për të më lënduar! Sipas mendjes së tyre, më poshtëronin kur më përmendnin që nuk isha bërë dot nënë.”
Ajo shprehet se sulmet e tilla nuk janë vetëm personale, por reflektojnë një mungesë empatie dhe kulture të gjerë:
“Më prek nga afër edhe sot e kësaj dite, kur disa kokrra injorantësh, shumica femra, hije që ushqehen me karma nëpër rrjetet sociale, vazhdojnë refrenin që u mboll nga këta të ashtuquajtur VIP-a.”
Egla sqaron se asnjëherë nuk ka luajtur rolin e viktimës, por është e rëndësishme të mbrohet dinjiteti i individit:
“Unë kurrë nuk luajta rolin e viktimës, jo sepse nuk u lëndova, por sepse përballë një ligësie pa fre, pranimi i lëndimit do të ishte dhurata më e madhe për atë person.”
Ndërsa analizon debatet aktuale, ajo bën një paralelizëm me situatën e saj, duke treguar se si tema e mëmësisë përdoret për të krijuar tensione. Në përfundim, Egla mbështetet te inteligjenca e publikut për të bërë dallimin mes qëllimeve të vërteta dhe atyre të maskuara:
“Kam bindjen se publiku e bën gjithmonë dallimin.”
Reagimi i saj ka tërhequr shumë vëmendje, një pjesë e madhe e komentuesve e mbështesin.