Transmetuesi shtetëror moldav TVM ka konfirmuar se po tërhiqet nga Eurovisioni i këtij viti, i cili do të mbahet në Bazel.
Sipas mediave të huaja, lajmi vjen vetëm pak ditë pasi vendi zhvilloi audicionet për finalet kombëtare dhe duket se ato audicione luajtën një rol të madh në vendimin e tyre.
Përkatësisht, drejtori i rrjetit “Moldova 1”, Corneliu Durnescu, tha se mungesa e cilësisë “krijoi një perceptim negativ” për Eurovisionin.
“Vendimi nuk ishte i lehtë, por i nevojshëm në kontekstin aktual. Përzgjedhja kombëtare e këtij viti vuri në pah disa sfida, duke përfshirë rënien e interesit publik dhe cilësinë e përgjithshme të këngëve dhe performancave artistike. Kjo krijoi një perceptim negativ tek ekspertët dhe publiku, duke theksuar nevoja për një reformë të rëndësishme në procesin e përzgjedhjes”, u shpreh ai.
Së bashku me kryetaren e delegacionit moldav për Eurovisionin, Daniela Cruda, ai deklaroi se vendimi vjen “pas një analize të hollësishme të situatës aktuale, si dhe sfidave ekonomike, administrative dhe artistike”. Ata madje përfshinin ekspertë të muzikës, të cilët gjithashtu e mbështetën vendimin e tyre.
Pavarësisht tërheqjes, televizioni shtetëror do të transmetojë drejtpërdrejt dy gjysmëfinalet dhe finalen e madhe në Bazel, duke u ofruar shikuesve mundësinë për të ndjekur konkursin. Duke marrë parasysh cilësinë e shfaqjes, pjesëmarrja nuk konsiderohej vlerë për para. Sipas njoftimit, EBU i ngarkon Moldavisë një tarifë pjesëmarrjeje prej 21,486 euro.
Kujtojmë se Zvicra do të jetë nikoqire e edicionit të 69-të të Eurovisionit. Gara do të mbahet në St. Jakobshalle në Bazel. Netët gjysmëfinale do të zhvillohen më 13 dhe 15 maj, ndërsa finalja e madhe është caktuar të shtunën më 17 maj.