Benedict Cumberbatch, aktori i njohur për rolet e tij fantastike si Sherlock Holmes dhe Doctor Strange, së fundmi ka folur hapur për pasojat afatgjata që ka pasur rrëmbimi i tij në jetën personale. Në një intervistë për Variety për filmin e tij të ardhshëm “The Thing With Feathers“, Cumberbatch ndau detaje për ngjarjen e tmerrshme që përjetoi në vitin 2004.
Filmi i ri është një dramë e errët për një baba që përballet me humbjen e bashkëshortes, një tematikë që aktori thotë se e ndjen afër për shkak të krizës personale që përjetoi vite më parë.
Ngjarja ndodhi në Durban, Afrikën e Jugut, kur Cumberbatch ishte në të njëzetat dhe po xhironte miniserinë e BBC-së “To The Ends of The Earth“. Gjatë një udhëtimi zhytjeje me miqtë e tij, makina e tyre pësoi defekt. Ndërsa ndaluan për të ndërruar gomën, ata u rrëmbyen dhe u plaçkitën nga gjashtë burra të armatosur.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter në 2013, aktori kujtoi se si ai dhe miqtë e tij u detyruan të futeshin në një makinë, ku qëndruan për orë të tëra përpara se të nxirreshin jashtë, të lidheshin dhe të liheshin në tokë. “Ishte ftohtë dhe errësirë. Ishim si pre e lehtë,” tha ai, duke shtuar se ndjeu një frikë të jashtëzakonshme për jetën e tij.
Pavarësisht situatës së rëndë, rrëmbyesit u larguan, duke lënë grupin të lidhur në tokë. Ngjarja la një shenjë të madhe te aktori, duke i ndryshuar perspektivën mbi jetën. Cumberbatch pranoi se incidenti e shtyu të kërkonte adrenalinë dhe të merrte rreziqe, si hedhja me parashutë dhe aktivitete të tjera ekstreme.
“Ndjenja e afërsisë me vdekjen më bëri të kuptoj sa e brishtë është jeta dhe më nxiti të jetoja ndryshe. E kam parë nga afër buzë greminës dhe jam pajtuar me atë që ndodhet përtej saj,” përfundoi aktori.