Thyen më në fund heshtjen Fedez për skandalin e tradhtisë

Mediale Vip

Thyen më në fund heshtjen Fedez për skandalin e tradhtisë

Më: 31 janar 2025 Në ora: 20:05
Angelica, Fedez, Ferragnez

Fedez ka reaguar për herë të parë me një deklaratë të gjatë në rrjete sociale, për gjithë dramën Ferragnez që ka marrë vëmendjen e gjithë njerëzve këto ditët e fundit. Ai nisi duke përgenjështruar menjëherë aludimin se kishte menduar të ndahej nga Chiara, vetëm pak kohë përpara dasmës së tyre:

"Ideja që mendova të lija gruan time gjatë dasmës për të ikur në anën tjetër të Italisë, është thjesht qesharake. Zgjodha Chiara-n me bindje, e desha, u martova pa hezitim dhe ndërtuam një familje së bashku. Pavarësisht konflikteve, ajo do të mbetet gjithmonë e rëndësishme për mua sepse është nëna e fëmijëve të mi."

Më pas Fedez, shprehu se "afrimi" i tij me Angelica-n ka ardhur vetëm pas krizave të mëdha në martesën e tij me Chiara-n, ndonëse nuk mohoi që të ishte njohur me sipërmarrësen që përpara dasmës së tij:

"E takova Angelica-n disa muaj para dasmës, u larguam [nga njëri-tjetri] për t'u fokusuar në jetët tona. U riafrova me të në një moment vështirësie personale, pa pasur ndonjë plan të paramenduar, por kur martesa tashmë ishte përballur me kriza të thella, të cilat nuk ishim në gjendje t'i zgjidhnim edhe pasi u përpoqëm."

Duke e shmangur pranimin e drejtpërdrejtë të tradhtisë bashkëshortore, Fedez më pas shpjegon momentin kur Angelica i dha fund lidhjes me të, veprim i cili ai shprehet se e preku në një pikë të dobët:

"Kur Angelica vendosi t'i jepte fund lidhjes sonë, mes shumë gabimeve që bëra, ndava mendimet me Fabrizio-n dhe një mike të përbashkët të të dyve. Një budallallëk në një moment dobësie dhe brishtësie, për të cilën paguaj pasojat, por hedh poshtë çdo teori konspiracioni apo manipulimi."

Më pas Fedez nuk harron të theksojë dhe faktin që gjithë jeta e tyre private po përdoret së fundmi masivisht nga mediat, ndonëse kanë qenë vetë çifti Ferragnez që më parë ndanin çdo detaj të jetës së tyre për sytë e publikut:

"Nuk kam qenë kurrë një shenjtor, por jeta jonë private nuk mund të bëhet pretekst për të ndërtuar rrëfime apo për të larguar vëmendjen nga diçka tjetër. E gjithë kjo nuk po i bën mirë askujt, as Chiara-s, as mua, as njerëzve të tjerë të përfshirë."

Në fund të deklaratës së tij, ai nuk hezitoi të pranonte se kishte kuptuar gabimet e tij, duke adresuar gjithashtu dhe gjithë shfrytëzimin që po i bëhet historisë së tyre në gjithë mbulimin mediatik të saj:

"Sot do të vendos disa pika. Kam bërë një gabim, kam paguar, do të vazhdoj të paguaj, mund edhe të kem mësuar pak. Unë largohem nga një mënyrë e paraqitjes që nuk më përket më (dhe ndoshta nuk më përkiste kurrë). E di si funksionon kjo lojë: për vite kam qenë pjesë e saj, tani mendoj për veten dhe fëmijët e mi. Të tjerat ua lë atyre që kanë nevojë për këtë lloj shfaqjeje. Sa më shumë që të jetë e mundur, dua të zgjedh realitetin."

Dhe kështu, me reagimin e Fedez, duket sikur i vjen fundi gjithë telenovelës që ka bërë lëmsh rrjetin, jo vetëm këto dy ditët e fundit, por që në thashethemet e para që flisnin për një ndarje të mundshme midis çiftit më të njohur dhe të dashur të Italisë. Se ç'dinamikë e re mund të lindë prej kësaj historie, mbetet për t'u parë dhe sinqerisht... jemi gjithë sy e veshë.

Image
Insta
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat