Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, pritet të lërë spitalin dhe t’i rikthehet jetës normale pas dy javësh trajtim në një spital psikiatrik në Nju Jork.
Lajmi është konfirmuar nga biznesmeni Elton Ilirjani, i cili bëri të ditur se këngëtarja do të dalë nga spitali ditën e mërkurë dhe do të vendoset në një shtëpi të re.
“Diten e mërkurë do të ndodhem atje për ta marrë divën tonë dhe për ta strehuar në shtëpinë e saj të re,” ka deklaruar Ilirjani. “Emocionet janë të forta, kuptohet që nuk është një proces i lehtë…” shtoi ai.
Simaku, një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare të viteve ’80, kishte kaluar një periudhë të vështirë, por së fundmi ka pranuar të marrë trajtim mjekësor.
Dalja e saj nga spitali është një lajm i mirëpritur nga fansat e saj në Shqipëri dhe në diasporë, të cilët kanë ndjekur me shqetësim gjendjen e saj shëndetësore.