Reperi Sean “Diddy” Combs është përballur me akuza të reja për trafikim seksual, duke e çuar numrin e viktimave të dyshuara në tre.
Aktakuza e re, e ngritur nga prokurorët të enjten, nuk shton vepra të reja penale, por zgjeron periudhën kohore të dyshimeve dhe përfshin dy gra të tjera.
Combs, i cili do të dalë në gjyq më 5 maj, i ka mohuar të gjitha akuzat. Avokati i tij, Marc Agnifilo, e cilësoi teorinë e prokurorisë si “të metë” dhe mohoi pretendimet se ish-të dashurat e tij ishin viktima të trafikimit, shkruan DailyMail.
Aktakuza pretendon se Diddy ka transportuar viktimat dhe punonjëse seksi përtej kufijve shtetërorë dhe ka përdorur drogë për t’i manipuluar në marrëdhënie seksuale.
Një nga viktimat e dyshuara është këngëtarja Cassie Ventura, e cila e akuzoi atë për dhunë seksuale dhe fizike në një padi të ngritur në 2023, të cilën ai e zgjidhi menjëherë pa pranuar fajësinë.
Përveç akuzave për trafik seksual, Combs po hetohet edhe për përfshirje në një organizatë kriminale që merrej me rrëmbime dhe shpërndarje droge që nga viti 2004.
Substancat e dyshuara përfshijnë kokainë, ketaminë, oksikodon, metamfetaminë dhe kërpudha halucinogjene.
Ai përballet gjithashtu me dhjetëra padi të tjera për sulm seksual dhe ngacmim, të cilat i ka mohuar të gjitha.