Justin Baldoni po përballet me pasoja të rënda financiare dhe emocionale nga konflikti i tij ligjor me Blake Lively, bashkëprotagonisten e tij në filmin “It Ends with Us”.
Avokati i Baldonit, Bryan Freedman, deklaroi gjatë një seance gjyqësore në Manhattan se klienti i tij dhe partnerët e tij në ‘Wayfarer Studios’ kanë humbur miliona dollarë dhe janë “të shkatërruar financiarisht”.
Ai theksoi se Baldoni ka humbur tre projekte të mëdha, përfshirë një adaptim të filmit ‘Pac-Man’, si pasojë e akuzave të ngritura kundër tij, shkruan DailyMail.
Gjithçka nisi më 2 dhjetor, kur Lively paraqiti një ankesë për ngacmim seksual dhe hakmarrje në xhirime.
Në përgjigje, Baldoni ngriti një padi për shpifje prej 250 milionë dollarësh kundër New York Times, duke i akuzuar për mbulim të njëanshëm.
Më 16 janar, ai paraqiti një padi të dytë prej 400 milionë dollarësh kundër Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistes së tyre Leslie Sloan, duke i akuzuar për shpifje dhe zhvatje civile.
Pavarësisht polemikave, “It Ends with Us” arriti të gjenerojë 351 milionë dollar (339 milionë euro) nga një buxhet prej vetëm 25 milionësh.
Ndërkohë, Baldoni është parë duke pushuar me familjen e tij në Maui, ndërsa Lively është përballur me kritika për sjelljen e saj ndaj gazetarëve dhe promovimin e markave të saj gjatë promovimit të filmit.