Padia që akuzonte Jay-Z për përdhunim është tërhequr nga paditësja anonime, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Us Weekly, çështja që pretendonte se reperi i famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Sean Carter, përdhunoi një vajzë 13-vjeçare së bashku me Diddy në një festë në shtator të vitit 2000, është hedhur poshtë.
Avokati që përfaqëson paditësen anonime, e referuar si Jane Doe, e tërhoqi vullnetarisht çështjen, tregojnë të dhënat e gjykatës.
Deklarata u dorëzua nga avokati Tony Buzbee, i cili përfaqëson dhjetëra paditës në padi që pretendojnë sjellje të pahijshme seksuale kundër Diddy Combs.
Në dosje thuhet se paditësi në këtë mënyrë njofton se padia tërhiqet vullnetarisht. Për shkak se shkarkimi është tërhequr, padia nuk mund të rikthehet sërish në formën e saj aktuale.
“Çështja e rreme ndaj Jay-Z, e cila nuk duhej të ishte ngritur kurrë, u pushua”, tha avokati i reperit, Alex Spiro për Us Weekly.
“Duke u përballur me këto akuza të egra dhe të rreme, Jay-Z bëri atë që pakkush mundi, ai u kundërpërgjigj, nuk bëri kompromis, nuk pagoi asnjë cent, ai triumfoi dhe pastroi emrin e tij,”– shtoi ai.
Vetë Jay-Z përmes kompanisë së tij “Roc Nation”, ka bërë një deklaratë në rrjetet sociale duke iu referuar pushimit të çështjes si një “fitore”.
“Sot është një ditë fitoreje. Akuzat e pabaza dhe të tmerrshme u hodhën poshtë. Kjo padi nuk kishte asnjë të vërtetë dhe nuk do të shkonte askund. Historia imagjinare që ata krijuan do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte për seriozitetin e akuzave. Nuk do ia dëshiroja askujt këtë përvojë. Trauma që pësuam gruaja ime, fëmijët e mi, të dashurit e mi dhe unë nuk mund të fshihet kurrë,” -shkroi Jay Z në X.
Pas lirimit të tij nga akuza për përdhunim, reperi shprehu mbështetjen e tij për viktimat e abuzimit seksual, si dhe për ata që janë akuzuar padrejtësisht. “Gjykatat duhet të mbrojnë viktimat, sigurisht, por me të njëjtën përgjegjësi morale ata duhet të mbrojnë të pafajshmit nga akuzat e pabaza, pa asnjë copë prove. Shpresoj që e vërteta të mbizotërojë si për viktimat ashtu edhe për ata që u akuzuan gabimisht”.