Reperi ASAP Rocky, partneri i Rihanna-s, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat të martën nga juria në gjyqin e tij penal për krime të rënda në qendër të Los Angelesit.
Artisti 36-vjeçar, i nominuar tre herë për çmimin “Grammy”, ishte akuzuar për dy krime të rënda të sulmit me armë gjysmë-automatike në lidhje me një incident në nëntor të vitit 2021 në Hollywood, Kaliforni, ku viktimë e supozuar ishte ish-miku i tij, A$AP Relli, shkruan DailyMail.
Këngëtarja e hitit “Take A Bow” shpërtheu në lot kur u lexua vendimi, pasi partneri i saj përballej me një dënim deri në 24 vite burg nëse shpallej fajtor. ASAP Rocky vrapoi drejt saj dhe e përqafoi pas shpalljes së vendimit.
“Faleminderit të gjithëve që më shpëtuat jetën”, u shpreh ASAP Rocky para jurisë, e cila përbëhej nga shtatë gra dhe pesë burra, sipas Associated Press.
Reperi, emri i plotë i të cilit është Rakim Mayers, u emocionua teksa përqafoi avokatët e tij pas vendimit të gjyqit.
Juria arriti në një vendim unanim pas rreth tre orësh diskutime, të cilat nisën pas përfundimit të argumenteve përmbyllëse javën e kaluar.
Para nisjes së gjyqit, Rocky kishte refuzuar një marrëveshje nga prokuroria që përfshinte gjashtë muaj burg dhe lirim me kusht. Sipas Associated Press, kjo marrëveshje do të kërkonte që ai të pranonte fajësinë për një nga akuzat.
ASAP Rocky e festoi vendimin me partneren e tij Rihanna dhe ekipin ligjor brenda sallës së gjyqit dhe pas daljes nga ndërtesa.
Prokurorët pretenduan se Rocky kishte qëlluar dy herë ndaj ish-mikut të tij, A$AP Relli. Ky i fundit dëshmoi në gjyq se nuk ishte lënduar rëndë, por një nga plumbat i kishte prekur lehtë nyjën e dorës.
Ekipi ligjor i Rocky-t argumentoi se të shtënat ishin në fakt fishekë bosh nga një armë rekuizitë, të cilën ai e kishte marrë nga xhirimet e një videoklipi muzikor. Ata thanë se e kishte përdorur për të trembur Relli-n, i cili sipas tyre po sulmonte një tjetër anëtar të grupit të tyre.
Gjykata udhëzoi jurinë se sipas ligjit, A$AP Rocky nuk mund të shpallej fajtor nëse gjendej se kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Superylli i muzikës dhe modës, e lindur në Barbados, tërhoqi vëmendjen e mediave me paraqitjet e saj në gjykatë për të mbështetur partnerin e saj, me të cilin ka dy fëmijë: RZA, dy vjeç, dhe Riot Rose, një vjeç.
Gjatë disa seancave, Rihanna ishte ulur mes nënës dhe motrës së A$AP Rocky-t, Renee Black dhe Erika B. Mayers. Këngëtarja e hitit “Diamonds” solli edhe fëmijët e tyre në gjykatë për argumentet përfundimtare të çështjes.
Vendimi i pafajësisë vjen në kulmin e famës së Rocky-t, në një moment të rëndësishëm për karrierën e tij muzikore. Ai është planifikuar të jetë kryefjala e festivalit Rolling Loud në mars, një nga bashkë-organizatorët e Met Gala në maj, dhe do të shfaqet përkrah Denzel Washington në filmin e regjisorit Spike Lee, “Highest 2 Lowest”, që pritet të dalë në fillim të verës.
Prokurorët dhe dëshmitarët e tyre argumentuan se Rocky kishte një konflikt me ish-mikun e tij, A$AP Relli, me të cilin ishte pjesë e grupit A$AP Mob që nga shkolla e mesme. Ata pretenduan se dyshja ishte takuar në Hollywood më 6 nëntor 2021 dhe, pas një përleshjeje, Rocky kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar dy herë ndaj Relli-t, duke i prekur nyjën e dorës, por pa i shkaktuar lëndime serioze.
Avokati i Rocky-t, Joe Tacopina, e përshkroi Relli-n si “një gënjeshtar patologjik i zemëruar”, i cili “kreu dëshmi të rreme vazhdimisht”.
Mbrojtja argumentoi se Rocky kishte përdorur një armë rekuizitë që gjuante vetëm fishekë bosh, të cilën e kishte mbajtur për siguri pas xhirimeve të një videoklipi. Ata thanë se ai e kishte përdorur armën për ta trembur Relli-n, pasi ky i fundit po sulmonte një tjetër anëtar të grupit.
Juristët u informuan se, pavarësisht se kishin kaluar tre vjet nga incidenti, askush nuk e kishte përmendur armën rekuizitë para autoriteteve deri ditën e përzgjedhjes së jurisë për gjyqin.
Gjithashtu, ata u udhëzuan se nëse arrinin në përfundimin se Rocky kishte arsye të besonte se ai ose miqtë e tij ishin në rrezik të menjëhershëm, dhe nëse kishte përdorur forcë të arsyeshme për t’u mbrojtur, mund ta shpallnin të pafajshëm.
Nuk ishte e qartë menjëherë nëse vendimi i jurisë erdhi për shkak se ata besuan se ai po mbante një armë rekuizitë ose sepse e panë si veprim në vetëmbrojtje. Ata nuk kishin nevojë të binin dakord mbi arsyen, por vetëm të arrinin në të njëjtin përfundim.
Rocky zgjodhi të mos dëshmonte në mbrojtjen e tij.
Ndërkohë, zëvendësprokurori John Lewin i bëri thirrje jurisë që të mos ndikohej nga fama ose aspektet familjare të çështjes, duke sugjeruar se prania e Rihanna-s me fëmijët në sallën e gjyqit ishte një përpjekje për të ndikuar në vendimin e tyre.
“Ju nuk lejohet të merrni parasysh se si kjo çështje mund të ndikojë te Rihanna dhe fëmijët e tij”, tha prokurori. “Ne të gjithë jemi përgjegjës për veprimet tona në këtë botë”.