Zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë sjellë një nga befasitë më të mëdha në kampin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku Sala Jashari ka rezultuar si një nga kandidatet më të votuara.
Sipas rezultateve preliminare që po qarkullojnë në media, ajo ka siguruar mbi 27 mijë vota, duke u renditur si femra e dytë më e votuar brenda PDK-së. Ky rezultat i garanton asaj një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sala Jashari, e cila vjen nga trungu familjar i Jasharajve të Prekazit, ka pasur një të kaluar artistike para se të përfshihej në politikë.

Në fëmijëri, ajo ka qenë e njohur për disa këngë, si “Këngë për Flamurin”, “Me Patina” dhe “Nenelokja”, të cilat e bënë të njohur në skenën muzikore shqiptare.
Një nga momentet kulmore të karrierës së saj muzikore ishte dueti me këngëtaren Rovena Stefa, në këngën “Amaneti”, një projekt me motive patriotike i realizuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me një përvojë të ndryshme nga kandidatët e tjerë, Sala Jashari ka arritur të fitojë një mbështetje të madhe nga elektorati, duke e bërë atë një nga figurat më të votuara të PDK-së në këto zgjedhje.
Tani, ajo pritet të sjellë një energji të re në skenën politike, me një mandat të garantuar në Kuvendin e Kosovës.