Gjykimi i shumëpritur i Duane “Keefe D” Davis, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e reperit Tupac Shakur në vitin 1996, është shtyrë deri në vitin 2026. Fillimisht, seanca ishte parashikuar të niste në mars të vitit 2025, por shtyrja u bë pasi avokati i Davis-it paraqiti më 14 shkurt një kërkesë për më shumë kohë për përgatitjen e mbrojtjes.
Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, avokati thekson se me çdo provë të re që del në dritë, po bëhet e qartë se disa fakte kyçe të çështjes ende nuk janë hetuar plotësisht. “Ky rast përfshin akuza të ngritura dekada më parë”, thuhej në kërkesë, me të cilën u pajtua edhe gjyqtarja Carli Kierney, e cila po udhëheq procesin.
“Duket se ka ende shumë punë për të bërë që ky rast të jetë plotësisht i gatshëm për gjykim”, deklaroi Kierney. “Z. Davis duhet të ketë një mbrojtje ligjore efektive”. Aktualisht, Davis ndodhet në paraburgim në qarkun Clark të Nevadas dhe përballet me akuzën për vrasje me armë zjarri për ngjarjen e shtatorit 1996, kur Tupac Shakur humbi jetën në moshën 25-vjeçare.
Edhe pse Davis ka deklaruar se është i pafajshëm, çështja ligjore ka shkaktuar polemika për vite me radhë. Ai ka tentuar më herët të rrëzojë akuzën, duke argumentuar se ka kaluar shumë kohë dhe se janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese, por gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë, duke lejuar vazhdimin e procesit pavarësisht shtyrjes.
Davis ka folur publikisht disa herë për rolin e tij të dyshuar në vrasjen e Shakur-it, përfshirë intervista dhe librin e tij “Compton Street Legend”, ku ai përshkruan ngjarjet që çuan në vdekjen e reperit të famshëm.
Sipas deklaratave të tij të mëparshme, ai ka pranuar se e ka dorëzuar armën e përdorur në sulm te nipi i tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se ishte personi që qëlloi Tupac-un. Ai gjithashtu ka pohuar se ndodhej në makinë me Anderson dhe persona të tjerë të dyshuar në natën e vrasjes, pas një ndeshjeje boksi mes Mike Tyson dhe Bruce Seldon në Las Vegas Strip.
Megjithatë, së fundmi Davis ka ndryshuar versionin e tij, duke pretenduar se deklaratat e mëparshme ishin të sajuara dhe se dëshmitë do të provojnë se ai nuk ndodhej fare në Las Vegas në momentin e të shtënave – çka, sipas tij, do ta shfajësojë plotësisht.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, Davis mund të dënohet me burgim të përjetshëm.