Tashmë emri i tij është i njohur, pasi ka kohë që merret me muzikë dhe sjell herë pas here projekte muzikore. Po flasim për këngëtarin Ded Biblekaj, apo siç njihet në muzikë me emrin Dedi. Pas këngës "Një herë në jetë", e cila u punua me tekst dhe muzikë nga çifti Lind Islami dhe Venera Limani, por edhe nga Jeris Kaso, Dedi sapo ka publikuar në një datë të veçantë një këngë vërtet të ndjerë në vigjilje të 17 Shkurtit.
Kënga mban titullin "Pafajsinë e vranë aty", kushtuar martirëve të Mejës, ku janë mbi 376 persona të vrarë e të masakruar, një projekt që ka kërkuar më shumë përkushtim, përjetim dhe emocion shumë të veçantë për ata që dhanë jetën për Kosovën dhe për lirinë që kemi sot.
Ky projekt ka si autorë të tekstit dhe muzikës Naim Gjoshi dhe Marsel Gunga, videoklipin e realizuar nga XL Films dhe masterin nga Mareglen Boja.
Artisti ka marrë shumë komente dhe mesazhe pozitive dhe falënderime për këtë projekt. Dedi është me origjinë nga Meja e Gjakovës, por jeton dhe punon në Zvicër, dhe është i ftuar kudo në organizime e festa familjare, ndërsa ka kohë që bashkëpunon me artistë dhe kompozitorë të njohur shqiptarë.