Grupi Shkodra Elektronike po përgatitet intensivisht për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision 2025, i cili do të mbahet në Bazel të Zvicrës. Pas triumfit në Festivalin e Këngës, ata tashmë janë në fazën finale të përgatitjeve, duke punuar videoklipin e këngës “Zjerm” dhe performancën skenike për kompeticionin europian, edicionin e 69-të.
Lajmi për xhirimet e videoklipit është ndarë nga vetë grupi në rrjetet sociale, duke ndarë disa momente nga prapaskenat e projektit vizual. Ndërkohë, “Zjerm” po merr reagime mjaft pozitive nga fansat e Eurovisionit, të cilët e vlerësojnë si një nga këngët më unike dhe moderne që Shqipëria ka sjellë në këtë skenë.
Në një intervistë televizive grupi ka përmendur se kënga nuk do ndryshohet. Gjithçka do mbetet e njëjtë dhe do këndohet në shqip.
Me një stil eksperimental dhe një frymë elektronike, Shkodra Elektronike synon të lërë gjurmë në edicionin e ardhshëm të Eurovisionit. Tani mbetet të shihet se si do të pritet performanca e tyre në një nga skenat më të mëdha të muzikës evropiane.