Mes festimeve për ditëlindjen e tij të 31-të, Justin Bieber ka ndarë me ndjekësit momente të ëmbla familjare. Në postimin e tij në Instagram, këngëtari ka publikuar disa imazhe nga festa e 1 marsit, ku nuk ka munguar as i vogli Jack, djali i tij dhe i Hailey Bieber, i lindur në gusht të vitit të kaluar.
Në një nga fotot, Justin dhe Hailey shfaqen duke mbajtur në krahë të birin. Edhe këtë herë, çifti ka zgjedhur të mos tregojë fytyrën e djalit, duke ruajtur privatësinë e tij.
Justin përfshiu gjithashtu një foto intime ku ai dhe Hailey shfaqen të shtrirë së bashku, duke ndarë një moment qetësie mes festimeve. Hailey, nga ana e saj, e ka ripostuar imazhin në Instagram Story, duke shkruar: “Gëzuar ditëlindjen, dashuria ime.”
Por ndërsa Justin feston këtë kapitull të ri në jetën familjare, në rrjet nuk kanë munguar spekulimet për gjendjen e tij shëndetësore. Vetëm pak ditë më parë, interneti u mbush me teori që sugjeronin se këngëtari mund të mos jetë në një periudhë të mirë, madje se mund të ketë rënë sërish në varësinë ndaj substancave.
Këto dyshime u nxitën nga disa foto ku Justin shfaqej me një pamje të lodhur dhe një qëndrim të përhumbur, ndërsa në disa imazhe të tjera dukej sikur buzëqeshja e tij ishte e sforcuar, e lëvizjet paksa të çuditshme.
Për momentin, Justin dhe Hailey nuk kanë reaguar ndaj këtyre thashethemeve. Ndërkohë, duket se për ta, përqendrimi është tek vogëlushi Jack dhe lumturia e tyre familjare.