Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka ndarë mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore të rajonit të Mitrovicës, të cilat kanë kontribuuar në luftën kundër Covid-19.
Pleurat Sejdiu, kryetar i OMK-së, ka bërë të ditur për KosovaPress se viti i kaluar ka qenë i rëndë për të gjithë, por në veçanti për punëtorët shëndetësorë.
Sipas tij, merita më e madhe e mjekut është kur përfundon karrierën e tij dhe del faqebardhë në pension, ndërsa institucionet duhet të dëshmojnë se kontributi I tyre mbetet i paharrueshëm.
Sejdiu: Mjekëve pensionistë duhet t’ua bëjmë me dije se nuk i harrojmë dhe ata vazhdojnë të jenë pjesë e jona
“Besoj se merita më e madhe është e mjekut kur përfundon karrierën e tij dhe del faqebardhë në pension. Një gjë dihet mirë se në moshën 65 vjeçare në profesionin tonë nuk përfundon çdo gjë, profesionin e vazhdojnë shumica prej kolegëve tonë, por ky është një moment kur ndryshon statusi ligjor në sektorët publike dhe ne duhet t’ua bëjmë me dije se ne nuk I harrojmë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e jona”, ka thënë Sejdiu.
Doktor Gani Shabani, neuropsikiatër, tashmë në pension, tha se pensionimi nuk është një ndjenjë aq edhe e mirë, por ndihet jashtëzakonisht krenar kur kujton kontributin e dhënë në të kaluarën, gjatë viteve të 80-ta, pastaj 90-ta, e sidomos periudhën e luftës.
Ai shtoi se është kënaqësi kur institucionet përgjegjëse, respektivisht OMK-ja interesohet për kolegët e tyre pensionistë.
Shabani: Kënaqësi kur OMK interesohet për mjekët pensionistë
“Është një kënaqësi kur mekanizmat, kryesisht Oda e Mjekëve të Kosovës, interesohet për mjekët pensionistë të cilët kanë kontribuuar edhe pse të gjithë kanë kontribuar”, theksoi Shabani.