Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim përfaqësuesit nga këshilli protestues i ndërmarrjes publike “Trepça”, në krye me z. Arsim Musa, gjatë kohës kur po mbahej protesta e tyre pranë objektit të komunës.
Në këtë takim është diskutuar për pakënaqësitë e protestuesve lidhur me procesin e fundit të punësimit në kombinatin “Trepça”, të cilët ende vazhdojnë përmes protestave të kërkojnë sistemimin e tyre në punë.
Me këtë rast, këshilli protestues kanë kërkuar nga kryetari Bahtiri mbështetje në adresimin e kërkesës së tyre në instancat më të larta të Qeverisë së Kosovës, pasi siç thonë ata nuk kanë marr ende asnjë përgjigje në lidhje me çështjen e punësimit të tyre, dhe u bënë 2 muaj prej kur ata janë duke protestuar.
Ndërsa, kryetari Bahtiri u ka thënë atyre se edhe në takimet paraprake që i ka pas me ta, ka ritheksuar se kjo çështje nuk është në kompetencën e tij si kryetar komune, mirëpo ka qenë i angazhuar dhe në kontakt me personat kompetent në Qeverinë e Kosovës, por që do të bëjë përpjekje maksimale që në ditët në vijim të marr një përgjigje në lidhje me kërkesën tuaj.