Ish kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri njoftoi se sot ka bërë dorëzim e detyrës për kryetarin e ri të kësaj komune, Bedri Hamza.
Bahtiri përmes një postimi në Facebook ka uruar Hamzën për postin e ri.
“Të nderuar qytetarë të Mitrovicës, Sot, bëra dorëzim-pranimin e detyrës së kryetarit të komunës te kryetari i ri, z. Bedri Hamza. Kisha nderin dhe kënaqësinë, të ju shërbejë me përkushtrim për 8 vite, gjatë të cilave kemi bërë shumë punë të mira për qytetin tonë. Thelbi i demokracisë qendron te vota qytetarëve dhe rotacioni politik. Z. Hamza i uroj punë të mbarë dhe suksese në mandatin e tij qeverisës”, shkruan Bahtiri.
Ai ia rikujtoi Hamzës se Mitrovica është qyteti më specifik në Kosovë, andaj edhe kryetari ka përgjegjësi të mëdha në krahasim me kryetarët e qyteteve tjera.
“Mitrovica është qyteti më specifik në Kosovë, veçanërisht për shkak të aspektit politik. Prandaj kryetari i Mitrovicës ka pas dhe ka përgjegjësi shumë më të mëdha, se sa kryetarët e komunave tjera.
Për shkak të natyrës specifike të qytetit, kryetari i ri do ta ketë mbështetjen time për aq sa mundem në secilën punë të mirë për Mitrovicën, sikurse që i ftoj edhe anëtarët e Kuvendit Komunal pa dallim partie dhe qytetarët që ta mbështesin kryetarin Hamza në secilën punë që shkon të mirë të komunës tonë”, u shpreh Bahtiri ndërsa shtoi se pas një pushimi tek familja e tij larg së cilës jeton tash e 8 vite, ai do të të vazhdojë të kontribuoj me përkushtim për Mitrovicën.