Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në pompën e derivateve ‘Al-Petrol’ në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë.
Mësohet se një person ende i paidentifikuar ka hyrë brenda pompës i maskuar, i veshur në të zeza dhe i armatosur ka marrë rreth 500 euro.
I dyshuari, pas kryerjes të veprës, ka ikë në këmbë në drejtim të lagjes “Ilirida”.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Mirëpo pavarësisht kërkimeve ende nuk është arritur që të arrestohet i dyshuari.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.