Gjatë ditës së sotme, në ambientet e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” është mbajtur konferenca me temën “Të mbijetuarat e kancerit më të fuqizuara dhe të zëshme”.
Kjo konferencë është organizuar nga organizata “Center for Education and Community Development Friends” në partneritet me Komunën e Mitrovicës, respektivisht Drejtorinë e Shëndetësisë.
Në këtë organizim morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, drejtorë të drejtorive tjera komunale, përfaqësues të organizatës “Center for Education and Community Development Friends”, Vildane Goga, onkologe, Albulena Rrustemi-Kurti, psikologe, Fatbardh Rexha, kirurg i përgjithshëm, personeli shëndetësor i QKMF-së “Dr.Nexhat Çuni”, si dhe pjesëmarrës tjerë.
Në fjalën e tij kryetari i komunës, Bedri Hamza, tha se muaji tetor është muaj kur shprehim solidaritetin tonë për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit dhe bëjmë përpjekje për t’i ndërgjegjësuar të gjithë, sepse potencialisht të gjithë mund të preken nga kjo sëmundje.
“Megjithatë, marrja e masave për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje është faktor esencial për trajtimin e suksesshëm të saj, duke përfshirë këtu edhe vetëdijesimin dhe masat parandaluese si forma më e mirë për t’i luftuar sëmundjet dhe për ta mbrojtur shëndetin publik”, ka thënë Hamza, njofton Komuna e Mitrovicës.
Ai theksoi se të prekurit duhet ta ndjejnë “më shumë përkrahjen e shtetit, me kujdes të shtuar shëndetësor, me sigurime shëndetësore dhe ndihmesa shtesë përmes këshillimeve profesionale psikologjike”.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, potencoi se mjekët familjarë dhe infermierët e mjekësisë familjare kanë rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në edukimin e pacientëve rreth rrezikut për kancerin e gjirit, faktorëve të parandalimit dhe rëndësisë së kontrolleve të rregullta.