Gjykimi për vrasjen e 2021-ës në Mitrovicë, bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes

Mitrovica

Gjykimi për vrasjen e 2021-ës në Mitrovicë, bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes

Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 08:53
Ilustrim

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten vendosi të bëhet dalja në vend të ngjarjes, në rastin ku Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani akuzohen për rastin e vrasjes së M.K, në vitin 2021 në Mitrovicë.

Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar.

Fillimisht, seanca është hapur në sallën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku është dëgjuar ekspertja e psikiatrisë, Valbona Blakaj-Ramadani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bejtë Hasani, avokati Skender Musa e ka pyetur eksperten se a i është parashtruar pyetje për tronditjen mendore të ekzaminuarit Hasani.

Blakaj-Ramadani tha se gjatë kohës së ekzaminimit përveç pyetjeve të tjera i ekzaminuari pyetet edhe për gjendjen emocionale, e jo për “tronditje psikike” pasi në literaturë psikologjike kjo nuk ekziston, si në atë juridike, dhe se kjo pyetje nuk i është parashtruar askujt që nga themelimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Ekspertja tha se në ditën kritike i ekzaminuari ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se çfarë po ndodh me të dhe rrethin.

Ajo tha se personi i cili nuk ka vetëdije të plotë, apo e ka të ngushtuar si pasojë e gjendjes emocionale të krijuar nuk mund të bëjë sjellje të koordinuara, nuk mund të bëjë veprime selektive dhe të kontrolluara, dhe se për këtë në pikën 3 është konstatuar aftësia mendore e ruajtur.

Tutje, ekspertja tha se personi i cili e ka armën ndjen siguri, dhe se për këtë arsye nuk mund të flitet për frikën që mund ta dëmtojë vetëdijën, dhe se nga ajo çfarë thotë i ekzaminuari por edhe nga vido-incizimet nuk vërehet personi duke ikur nga situata por në mënyrë shumë stabile e nxjerrë armën, e përgatitë armën, dhe gjuan horizontalisht, dhe se çdo gjë është kryer në menyrë të vetëdijshme.

Në fund, ekspertja tha se në ekpsertizë ka elemente të cilat nuk kanë konstatuar ndonjë situatë të jashtëzakonshme me të cilën do të mund të dëmtohej aftësia mendore për me i kuptu dhe kontrollu veprimet e veta.

Kurse, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Bytyqi, e ka pyetur ekspertën se a është karakteristike që Instituti i Psikiatrisë Forenzike të nxjerrë mendime të kundërta për rrethana të ngjashme në aspektin profesional, pasi njëra ekspertizë për njërin person ka konstatuar tronditje të fortë mendore ndërsa tjetra jo.

Lidhur me këtë, ekspertja tha se për secilin rast individi vlerësohet nga komisioni i tij, dhe se secili ekspert është i pavarur në dhënien e mendimit dhe konstatimit, dhe secili mjek duhet të jetë i pandikushëm profesionalisht.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Musa pati vërejtje me arsyetimin se intervistimi i të pandehurit është bërë në kundërshtim me dispozitat e KPRK-së.

Avokati Musa kërkoi nga trupi gjykues që ekspertiza psikiatrike për të mbrojturin e tij t’i kthehet Institutit të Psikiatrisë Forenzike në plotësim, me arsyetimin se nuk janë marrë dokumentacionet e plota mjekësore.

Ndërsa, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti i kërkoi avokatit Musa që të tregoj saktë dispozitën ligjore ne bazë të të cilës pretendon se ekzaminimi i të pandehurit Hasani është i kundërligjshëm. Por, avokati Musa tha se për momentin nuk e di saktë cili nen.

Ndërsa, prokurori Njazi Rexha e kundërshtoi përpozimin e avokatit Skender Musa, dhe i kërkoi gjykatës që ta refuzojë, me arsyetimin se ekspertët kanë konstatuar në bazë të dokumentacionit që kanë poseduar dhe se sipas tij kjo është zvarritje e procedurës.

Në seancën e sotme gjyqësore si prova materiale u administruan video-incizimet nga vendi i ngjarjes.

Seanca e radhës pritet të mbahet në muajin dhjetor.

Më 8 shtator 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar me dënim unik prej 21 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Leotrim Selimi, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 19 janar 2024 Apeli aprovoi ankesat dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat