Dy ish-drejtorë të Arsimit deklarohen të pafajshëm për korrupsion, një tjetri i parashkruhet vepra

Mitrovica

Dy ish-drejtorë të Arsimit deklarohen të pafajshëm për korrupsion, një tjetri i parashkruhet vepra

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 09:26
Pamje nga gjykimi

Dy ish drejtorët e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ajmane Berani dhe Pajazit Hajzeri janë deklaruar të pafajshëm për akuzën se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e dhanë në shqyrtimin fillestar të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurorja Fetije Bajrami, e pandehura Ajmane Berani me mbrojtësin e saj, avokatin Valdrin Islami, dhe i pandehuri Pajazit Hajzeri me mbrojtësin e tij, avokatin Valdrin Islami.

Paraprakisht, të akuzuarve nga gjykatësi i rastit Xhemajl Isufi iu lexuan të drejtat e tyre, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.

Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjyqtari Isufi i njoftoi se në afat prej 20 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Mitrovicë përmes aktvendimit të marrë më 7 tetor 2024 ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe ka pushuar procedurën penale ndaj Alit Bejtës për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Ali Bejta, Ajmane Berani dhe Pajazit Hajzeri.

Sipas dispozitivit të parë, i akuzuari Ali Bejta në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër ka lidhur kontratë pune njëvjeçare me Arberina Jaha Hajzeri pa hapur konkurs fare.

Në aktakuzë thuhet se Bejta e ka shpërblyer me kontratë të punës Arberina Jaha Hajzerin për pozitën mësimdhënse e ciklit të ulët në shkollën fillore “Elena Gjika” në Tunel i Parë në Mitrovicë, duke qenë në dijeni se e njëjta nuk i plotëson kushtet për atë pozitë për shkak të shkollimit joadekuat.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Bejta ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, e akuzuara Ajmane Berani në cilësinë e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe duke tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, pa hapur konkurs fare, ka lidhur kontratë pune me Arberina Jaha Hajzeri për pozitën mësimdhënse e ciklit të ulët në shkollën fillore “Elena Gjika” në Tunel i parë në Mitrovicë, duke filluar prej datës 1 shtator 2014 deri më 31 gusht 2015, pastaj të njejtën e ka shpërblyer me kontratë të punës për pozitën pedagoge në shkollën fillore “Fazli Grajqevci” në Shipol, Mitrovicë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Berani ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ndësa, pika e parë e dispozitivit të tretë të aktakuzës, Pajazit Hajzeri akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës në vitin 2015 , duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, pa pasur konkurs publik ka lidhur kontratë pune njëvjeçare me Arberina Jaha Hajzeri për pozitën pozitën pedagoge në shkollën fillore “Fazli Grajqevci” në Shipol, Mitrovicë, ndërsa më 14 mars 2016 ka lidhur kontratë pune me të njejtën për pozitën pedagoge në shkollen e mesme të mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Hajzeri ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas pikës së dytë në dispozitivin e aktakuzës, Hajzeri akuzohet se në vitin 2016 në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, pa pasur konkurs publik, më 26 korrik 2016 ka rekomanduar shkollën fillore “Nonda Bulka” në Mitrovicë që të zbatojë dhe të lehtësojë procedurën e sistemimit të Bukurije Behramit në pozitën e mesimdhënses.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Hajzeri ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal në bashkim real me veprën penale si në pikën 1 të dispozitivit të tretë.

Ndërsa, në pikën e tretë të dispozitivit të tretë të aktakuzës, Hajzeri akuzohet se në vitin 2017, e ka shpërblyer me kontratë të punës Adem Ibishin për pozitën mësimdhëns i ciklit të ulët në shkollën fillore “Sefedin Smakolli” në Rashan në Mitrovicë, duke mos aplikuar fare, dhe duke mos i plotësuar kushtet për atë pozitë për shkak të shkollimit joadekuat.

Tutje, në aktakuzë thuhet se ka lidhur kontratë pune edhe me Sevdije Neziri për pozitën mesimdhënëse për lëndet kimi-biologji edhe pse e njejta nuk i ka plotësuar kushtet për shkak të shkollimit joadekuat.

Me keto veprimet, Hajzeri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale në pikën 1 dhe 2 të dispozitivit të tretë të aktakuzës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat