Gra e vajza protestojnë në Mitrovicë për “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”

Mitrovica

Gra e vajza protestojnë në Mitrovicë për “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 19:38
"16 Ditë Aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore"- Protestë në Mitrovicë, 25.11.2024

Në Kosovë ka nisur fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”, dhe gjatë kësaj kohe organizatat e shoqërisë civile do të organizojnë një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin kundër dhunës me bazë gjinore.

Në Mitrovicën e Jugut, gra dhe vajza sot, më 25.11.2024, kanë filluar aktivitetet në kuadër të fushatës.

Drejtoresha e organizates “Mitrovica Women Association for Human Rights” (MWAHR), Vetone Veliu, në një prononcim për KALLXO.com tha se në këtë ditë janë mbledhur për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Drejtoresha Vetone Veliu potencoi se edhe këtë vit brenda katër ditësh janë vrarë dy gra.

“Edhe në këtë vit brenda katër ditësh, në Kosovë u vranë dy gra. Gjatë vitit 2024 janë vrarë 3 gra, ndërsa nga viti 2010 deri në gushtin e vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra, si viktima të dhunës në familje” – tha ajo.

Vetone Veliu shtoi se ndonëse ato e ngrenë zërin, institucionet heshtin në këto raste.

“Jemi mbledhur të bashkuara për të protestuar dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave tek të cilat ushtrohet dhunë sistematike dhe ato heshtin, por kur e ngrisim zërin, institucionet dështojnë në mbrotjen e tyre duke mos i ndëshkuar ushtruesit e dhunës, e të cilët më pas po shndërrohen në vrasës”- ka thënë Veliu.

Tutje Veliu theksoi se autoritet e drejtësisë po dështojnë në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna, duke mos i ndëshkuar dhunesit me denimet e merituara.

Ajo tha se çfarë është e rëndësishme dhe duhet të ndryshojë është që burrat dhe djemtë të jenë pjesë e ndryshimit dhe të ndalojnë dhunën ndaj grave.

“Burrat dhe djemtë duhet të jenë pjesë e ndryshimit të mendësisë së një shoqërie, kanë përgjegjësi për ta luftuar dhunën në bazë gjinore kundër vajzave dhe grave, duhet të vetëdijesohen se duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, ashtu siç janë pjesë e problemit”-ka theksuar drejtoresha Vetone Veliu.

BE-ja ka miratuar Direktivën për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si hap vendimtar drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat përfshirë edhe atë online.

Drejtoresha e organizatës “Mitrovica Women Association for Human Rights” (MWAHR), Vetone Veliu, kërkon nga autoritetet e Kosovës të marrin masa për rastet e dhunës ndaj grave.

“Kërkojmë nga autoritetet  e Kosovë që burrat dhe djemtë dhe e gjithë shoqëria duhet të vetëdijesohen  dhe t’i çrrënjosen traditat dhe zakonet dhe të vetëdijesohet për një shoqëri të barabartë, ashpërsimin e dënimeve dhe zbatimin e mirëfilltë të ligjit nga autoritet e drejtësisë dhe në fund Kosova duhet t’i harmonizojë strategjitë e saj me ato të Bashkimit Europian, pasi ka synim anëtarësimin në BE”-ka përfunduar Veliu.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e organizatës “Centre Education and Community Development Friends”, Valbone Sadiku, tha për KALLXO.com se ajo që i thotë stop dhunës ndaj grave është bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në tërësi, për parandalimin e dhunës ndaj gruas është i domosdoshëm”- ka thënë Sadiku

Melihate Beshiri, drejtoresha ekzekutive e “Business Women Mitrovica”, tha se edhe në ndarjen e pronës gratë dhe vajzat kanë të drejtë.

Ajo ka theksuar se të gjithë duhet të jemi të barabartë në familje dhe shoqëri.

Ndërsa përmes rrjetit social Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se gjatë këtij mandati kanë bërë përpjekje për të forcuar përgjegjësinë institucionale.

“Gjatë gjithë këtij mandati kemi bërë përpjeke për të forcuar përgjegjësinë institucionale në luftë kundër dhunës në familje dhe në bazë gjinore”-ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se çfarëdo dhune duhet të dënohet nga institucionet ligjore.

“Dhuna në familje, qoftë keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual apo ekonomik, është vepër penale dhe duhet të dënohet deri në 3 vite burgim”- ka thënë Haxhiu.

Minstrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se vetëm duke e raportuar dhunën mund të ndërtohet një shoqëri e sigurt.

“Mos harroni, vetëm duke raportuar mund të ndërtojmë një shoqëri të sigurtë, ku dhuna në familje raportohet dhe ku secila ndjehet e sigurt dhe e mbrojtur”-ka përfunduar ajo.

Sipas të dhënave, nga janari i këtij viti deri në muajin tetor ishin 2,585 viktima të dhunës në familje. Nga to, 2,055 ishin gra dhe 530 burra.

Ndërsa shumica e viktimave ishin të moshës 30-40 dhe 20-30-vjeçare.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat