Nxënësit e Mjekësisë ankohen që shkolla nuk i lejon të marrin ushqime jashtë byfesë, nga shkolla thonë se ky është vendim i marrë në kuadër të rregullave

Mitrovica

Nxënësit e Mjekësisë ankohen që shkolla nuk i lejon të marrin ushqime jashtë byfesë, nga shkolla thonë se ky është vendim i marrë në kuadër të rregullave

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Nxënësit e shkollës së mesme së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë janë ankuar se shkolla nuk po i lejon të dalin jashtë objektit shkollor në pushimet e gjata për të blerë ushqime dhe “po detyrohen” t’i blejnë ushqimet në byfen e shkollës, ku sipas nxënësve, aty janë çmimet më të larta.

Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e kësaj shkolle, Drita Zanaj – Qamili për Telegrafin ka thënë se ky është një vendim i marrë në këshillin drejtues të shkollës, në këshillin e prindërve dhe atë të arsimtarëve.

Sipas saj, këto janë vendime ku prindërit kërkojnë që nxënësit (fëmijët e tyre), të mos dalin jashtë oborrit të shkollës.

“Shkolla jonë i ka rregullat dhe vendimet. Vendimet janë marrë në këshillin drejtues të shkollës, në këshillin e prindërve dhe atë të arsimtarëve. Këto janë vendimet në të cilat prindërit kërkojnë që fëmijët e tyre të mos dalin jashtë oborrit të shkollës”, ka thënë Zanaj – Qamili.

Drejtoresha ka treguar se prindërit kanë kërkuar “domosdo” që fëmijët e tyre të mos dalin jashtë oborrit të shkollës.

Ka mundësi që edhe dalin, mirëpo i ndalojmë disa sepse nxënësi deperton. Kështu që këto janë vendime në kuadër të rregullave të shkollës sonë”, ka përfunduar drejtoresha e shkollës së mesme së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë , Drita Zanaj – Qamili.

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu për Telegrafin ka thënë se i respektojnë vendimet që shkolla i merr me këshillin e prindërve dhe atë të shhkollës.

Ne i respektojmë propozimet, vendimet që i nxjerrë shkolla me këshillin e prindërve dhe këshillin e shkollës”, ka thënë Kadriu.

Sipas saj, shkolla e ka “autonominë e plotë” të bëj organizime të tilla.

“Shkolla e ka autonominë e plotë të organizojë mësimin, daljen dhe qarkullimin për shkak të sigurisë”, ka thënë tutje ajo. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat