Tashmë është rikthyer furnizimi me ujë të pijes në fshatrat e Mitrovicës.
Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka thënë se është rikthyer furnizimi me ujë të pijes në Tunelin e Parë, Trepçë dhe Stan Tërg.
“Po, pas punimeve tashmë është rikthyer furnizimi me ujë të pijes”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në Vushtrri janë duke vazhduar punimet dhe së shpejti pritet të rikthehet furnizimi me ujë të pijes edhe në atë zonë.
Prej dy ditësh, qyteti i Vushtrrisë dhe disa pjesë të Mitrovicës janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijes.
Sipas njoftimeve nga KRU “Mitrovica”, në Vushtrri është shpërthyer gypi kryesor derisa në Mitrovicë ka pasur defekt në instalimet elektrike. Këto janë arsyet pse qytetarët po përballen me këto problematika.
Ndërsa gjatë ditës së sotme, KRU “Mitrovica” ka njoftuar se si pasojë e mungesës së ujit, nga ora 12:00 kanë filluar shpërndarjen e ujit përmes autobotit në Vidimriq, Gushafc dhe Vinarc.