Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka thënë se janë të vetëdijshëm për shqetësimet e konsumatorëve dhe se ato po trajtohen me prioritet të lartë.
Bëhet e ditur se të gjitha ekipet e KRU “Mitrovica” janë mobilizuar dhe se po punojnë në përmirësimin e situatës.
“Për këtë arsye, ju informojmë se ekipet tona janë mobilizuar në të gjithë rajonin dhe po punojnë për përmirësimin e vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, po ndërmerren këto masa:
-Inspektimi dhe riparimi i rrjedhjeve në rrjetin e ujësjellësit, për të zvogëluar humbjet e ujit;
-Identifikimi, verifikimi dhe ndeshkimi i rasteve të keqpërdorimit/vjedhjes së ujit, për të siguruar shpërndarje të drejtë dhe të barabartë për të gjithë;
-Përmirësimi i monitorimit dhe kontrollit të presionit të ujit, për të optimizuar furnizimin në zonat potencialisht të prekura.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë për të gjithë konsumatorët tanë. Lusim qytetarët të bashkëpunojnë me ne dhe të raportojnë çdo rast të rrjedhjeve apo keqpërdorimit të ujit përmes kanaleve tona zyrtare të komunikimit”, thuhet tutje në njoftim.