Përdorimet e gjetheve të ullirit në mjekësinë popullore datojnë që në kohën e Egjiptit të lashtë. Asokohe, besohej se këto gjethe të ishin simbol i një fuqie hyjnore.
Gjethet e ullirit përmbajnë përbërës bioaktivë të fuqishëm dhe antioksidantë, njësoj si vetë ulliri.
Vlerat e këtyre gjetheve i bëjnë ato të dobishme për sistemin imunitar, tensionin e gjakut dhe shëndetin e sistemit kardiovaskular në përgjithësi.
Nga të gjithë përbërësit bioaktivë të gjetheve të ullirit veçohet një substancë që quhet oleuropein.
Në fillim të viteve 1900 u zbulua që ky antioksidant ul në mënyrë natyrale tensionin e gjakut dhe parandalon sëmundjet kardiovaskulare.
Vlerat e provuara të gjetheve të ullirit
Kur krahasuan efikasitetin e ekstraktit të gjetheve të ullirit me atë të një medikamenti kundër tensionit të lartë, studimet të cilave u referohet AgroWeb.org zbuluan se ekstrakti bimor e ulte ndjeshëm tensionin sistolik dhe diastolik.
Kjo ulje u vërejt kur pjesëmarrësit në studim morrën 500 miligramë ekstrakt të gjetheve të ullirit, dy herë në ditë për 8 javë.
Gjethet e ullirit gjithashtu ulin nivelin e kolesterolit të keq dhe shmangin efektet anësore të medikamenteve.
Shëndeti kardiovaskular
Antioksidanti oleuropein bashkë me përbërësit të tjerë të gjetheve të ullirit kanë ndikim direkt në uljen e rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës.
Ato gjithashtu parandalojnë formimin e inflamacionit dhe disa tumoreve.
Diabeti
Një studim zbuloi se ekstrakti i gjetheve të ullirit ka ndikim pengues në zhvillimin e diabetit dhe shumë sëmundjeve të tjera kronike.
Ato mund të ulin nivelin e sheqerit në gjak dhe ta mbajnë atë nën kontroll.
Funksionet e trurit
Përbërësit bioaktivë të gjetheve të ullirit zbusin simptomat e sëmundjeve mendore të lidhura me moshën siç është skleroza apo sëmundja e Alzheimerit.
Sipas studimeve, antioksidantët sulmojnë radikalet e lira që dëmtojnë funksionet e trurit duke i rimëkëmbur ato.
Kundër artritit
Gjethet e ullirit pakësojnë enjtjen e kyçeve dhe gjymtyrëve të prekura nga artriti, sepse shënjestrojnë që në fillim inflamacionin.
Për më tepër, substancat e këtyre gjetheve zbusin dhimbjet kronike që shoqërojnë sëmundjen.
Kundër baktereve
Ekstraktet e gjetheve të ullirit munden të eliminojnë një sërë bakteresh dhe mikrobesh përfshirë Escherichia coli.
Këto ekstrakte janë efikase edhe kundër hepatitit B, pneumonisë, e të tjerë.
Sistemi imunitar
Gjethet e ullirit pengojnë të ftohurën dhe janë të dobishëm kundër viruseve të rrezikshëm.
Përbërësit e gjetheve eliminojnë organizmat e dëmshëm dhe nuk lejojnë shumimin e viruseve.
Si ta përgatisni çajin e gjetheve të ullirit
Për të përgatitur lëngun nga gjethet e ullirit, AgroWeb.org ju tregon që duhet të përdorni gjethe të thata, ose të njoma në kushtet e shtëpisë.
Merrni një enë metalike, të cilën duhet ta mbushni me 300 ml ujë dhe ta vini të valojë.
Kur arrihet pika e vlimit, hidhni një sasi prej rreth 20 deri 25 gjethe të thara të ullirit.
Uji së bashku me gjethet duhet të valojë sërish për 4-5 minuta dhe më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.
Këshillohet që lëngun ta pini të ngrohtë pasi të shtoni lëng limoni dhe të tresni pak mjaltë.
Lëngu i gjetheve të ullirit ofron një shije mrekullisht të kënaqshme dhe të ëmbël, e cila e bën një zgjidhje që nuk duhet ta ndani nga vetja në çdo stinë.