Cox Media Group (CMG) kishte bërë një pranim befasues, duke zbuluar se telefonat inteligjentë dëgjojnë në mënyrë aktive bisedat e përdoruesve për të ofruar reklama të synuara.
Ky zbulim erdhi gjatë një prezantimi para investitorëve, disa ditë më parë, ku firma e marketingut – klientët e profilit të lartë të së cilës përfshijnë Facebook dhe Google – prezantoi softuerin e saj “Active Listening”.
Siç theksohet, softueri përdor Inteligjencën Artificiale (AI) për të mbledhur të dhëna zanore në kohë reale nga bisedat e përdoruesve, duke i çiftuar ato me të dhënat e sjelljes për të krijuar reklama të personalizuara për klientët në treg, shkruajnë portale të ndryshme botërore.
Më 26 gusht, CMG konfirmoi se mikrofonat në telefonat inteligjentë të përdoruesve po përdoren për shënjestrimin e reklamave, duke shkaktuar shqetësime për privatësinë.
Softueri i drejtuar nga AI i CMG gjurmon të dhënat e përdoruesve nga mbi 470 kanale, duke analizuar bisedat e folura dhe sjelljet në internet për të ofruar reklama të bazuara në qëllim.
Pas këtij zbulimi, Google hoqi me shpejtësi Cox Media Group nga programi i saj partner.
Aty nuk specifikohet nëse këto të dhëna zanore vijnë nga televizorët inteligjentë, altoparlantët inteligjentë ose telefonat inteligjentë, thuhet në një shkrim të The Guardian.
Është e vështirë të dihet se sa i përhapur është përdorimi i këtij shërbimi.
Ndërsa shumë detaje mbeten të turbullta, pyetja që shtrohet është: A ka vdekur privatësia?
Një zëdhënës i Google theksoi se të gjithë reklamuesit duhet të respektojnë ligjet në fuqi dhe politikat e Google Ads, duke deklaruar, “Kur të identifikojmë reklamat ose reklamuesit që shkelin këto politika, ne do të ndërmarrim veprimet e duhura”.
Ndërsa Meta, kompania mëmë e Facebook, kishte thënë se po shqyrton gjithashtu aktivitetet e CMG për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë shkelje të kushteve.
Në përgjigje të polemikave, një zëdhënës i Meta përsëriti: “Meta nuk përdor mikrofonin e telefonit tuaj për reklama dhe ne e kemi pasur të qartë këtë për vite me radhë”.
“Ne po kontaktojmë Cox Media Group për të siguruar që programi i tyre nuk po përdor meta të dhënat tona”.
Polemika lidhet me dyshimet e gjata nga përdoruesit të cilët pretendojnë se kanë parë reklama për produkte menjëherë pasi i përmendën ato në biseda të rastësishme, pavarësisht se nuk i kanë kërkuar kurrë ato në internet.