Scappucci, gruaja e parë italiane që dirigjon një opera në La Scala

Muzikë

Scappucci, gruaja e parë italiane që dirigjon një opera në La Scala

Më: 22 janar 2022 Në ora: 20:33
La Scala

Për herë të parë në sallën e operës me famë botërore La Scala të Milanos, një grua italiane u bë dirigjentja e parë e një opere -- ajo u bë gjithashtu gruaja e parë që drejtoi një operë klasike në Itali. Por asgjë nuk ishte planifikuar, pasi ajo zëvendësoi një dirigjent mashkull që u infektua me COVID-19. Tani institucioni dëshiron të shtojë gratë në radhët e tij.

Për herë të parë në historinë e saj 250 vjeçare, një grua italiane doli në podium për të drejtuar një operë të repertorit klasik italian në La Scala.

Që nga viti 1778, orkestra e operës është drejtuar nga disa prej dirigjentëve më të famshëm, përfshi Arturo Toscanini, Leonard Bernstein, Claudio Abbado dhe Riccardo Muti.

Më 18 janar, një grua italiane mori në dorë shkopin e dirigjentit përballë orkestrës në La Scala.

Por Speranza Scappucci nuk e priste atë që ndodhi, pasi ajo po zëvendësonte dirigjentin i cili u infektua me COVID-19.

Muzikantja e lindur në Romë drejtoi "I Capuleti e i Montecchi" të Vincenzo Bellinit, një shfaqje me dy akte me Romeo dhe Zhulietën, frymëzuar nga një dramë e Uilliam Shekspirit.

“Është sigurisht një moment shumë i rëndësishëm për mua, jo vetëm sepse jam gruaja e parë italiane dhe ky është një fakt simbolik, një fakt i rëndësishëm historik, por sepse për çdo artist, muzikant apo dirigjent, që mund të arrijë në një podium kaq të rëndësishëm do të thotë të kesh bërë të gjitha hapat, praktikat e gjata dhe të gjitha debutimet e tjera. Pas kaq vitesh studime dhe eksperience, në një moment kaq të vështirë, vendosa në gjysmë ore, se mund të ishte momenti i duhur”, thotë Scappucci.

E diplomuar në shkollën prestigjioze “Julliard” në Nju Jork dhe në konservatorin Santa Cecilia në Romë, Scappucci ka punuar rregullisht në operat e Vjenës, Zyrihut, Parisit, Barcelonës dhe Uashingtonit.

Ajo është gjithashtu drejtoreshë muzikore në Opera Royale di Wallonie në qytetin e Liezhit në Belgjikë që nga viti 2017.

Përveçse u bë gruaja e parë italiane që dirigjoi në La Scala, performanca e saj shënoi edhe operën e parë klasike të drejtuar nga një grua në La Scala.

Me Speranza Scappucci, La Scala dëshiron të tregojë se mund t'i besojë muzikën dhe regjinë grave, të cilat historikisht kanë munguar në këto role.

Speranza Scappucci mund të jetë duke bërë një hap drejt fundit të këtij paradoksi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat