Sopranoja shqiptare, koncert në sallën historike Carnegie Hall

Muzikë

Sopranoja shqiptare, koncert në sallën historike Carnegie Hall

Më: 2 prill 2022 Në ora: 17:42
Kjo është hera e parë për të në një skenë amerikane.

Sonte pas disa orësh, del për herë të parë para publikut amerikan sopranoja e njohur shqiptare, Ramona Tullumani. Ajo është e ftuar speciale në një koncert të organizuar nga kompania ndërkombëtare e muzikës klasike ”Freda World Music”, në sallën historike të koncerteve në Nju Jork, “Carnegie Hall”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artistja e muzikës klasike e vlerëson pjesëmarrjen në këtë ngjarje si një nga arritjet më të mëdha të karrierës së saj. Me zonjën Tullumani bisedoi kolegu Burim Goxhuli.

Sopranoja shqiptare Ramona Tullumani ngjitet në skenën e sallës historike të koncerteve në Nju Jork, Carnegie Hall.

Kjo është hera e parë për të në një skenë amerikane.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zonja Tullumani thotë se spektatorët do të kenë rast të shijojnë një program të pasur të muzikës klasike.

“Duke qenë këngëtare e muzikës operistike, nuk mund të lija pa vendosur në repertorin tim ariet më të dashura, që janë ato puçinjane. E dua shumë Puccinin prandaj do t’i performoj operat më të bukura të tij”, thotë ajo.

Nisur nga numri i madh i shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, artistja Tullumani ka përgatitur edhe një befasi për shqiptaro-amerikanët, që adhurojnë operan.

“Duke qenë se jam shqiptare dhe duke qenë se këndoj për herë të parë në ShBA dhe jam e sigurt se do të ketë publik nga Shqipëria, kam edhe dy befasi të cilat nuk do t’i them tani. Kam përshtypjen që sa t’i dëgjojnë në sallë do t’i njohin dhe do të kënaqen pa fund”, thotë Ramona për Zërin e Amerikës.

Zonja Tullumani është e ftuar speciale në koncertin e drejtuar nga dirigjenti Leonardo Quadrini, ku do të marrin pjesë edhe emra të tjerë të muzikës klasike, siç është tenori Anthony Freda.

Të dalësh para publikut amerikan, në sallën e koncerteve Carnegie Hall, është një arritje e madhe, thotë artistja shqiptare.

“Do të thosha që kjo është një ngjitje e një karriere të mirë pasi nuk mund të them kulmi. Jam ende shumë e re dhe nuk i dihet se çfarë më pret më vonë. Por mendoj se është një ngjitje goxha e madhe për një këngëtar operistik. Ajo sallë, vetë emri i saj, i jep një rëndesi të jashtëzakonshme. Të këndosh aty opera si ‘Manon’, ‘Le Bohem’, ‘Gianni Schicchi’, është peshë e madhe për karrierën time. E jashtëzonshme”, thotë ajo.

Zonja Tullumani thotë se opera italiane adhurohet në mbarë botën, prandaj shprehet e bindur se do të pëlqehet edhe nga publiku amerikan.

Carnegie Hall, salla më e vjetër e koncerteve në qytetin Nju Jork, i hapi për herë të parë dyert për publikun më 1891.

Në çdo sezon, kjo qendër organizon rreth 200 koncerte nga artistët më të mirë në botë, në tre skena madhështore.

Ardhja deri këtu ishte një rrugëtim i vështirë për artisten me origjinë shqiptaro-bullgare, e cila është soliste në operan e Tiranës dhe në atë të Sofjes.

Ajo këshillon të gjithë artistët e rinj që të synojnë skenat ndërkombëtare, por pa harruar rrënjët e tyre.

“Gjithmonë është e rëndësishme që njeriu të fillojë karrierën në vendin e tij. Të krijojë hapat e parë dhe kryesorë, ashtu siç kam vepruar unë, në vendin e tij. Nuk ka mbështetje më të mirë sesa publiku shqiptar. Nuk ka mbështetje më të rëndësishme sesa Opera në Tiranë. Mendoj se është një gjë shumë e rëndësishme për këngëtarët e rinj. Por, qëndron si i paplotësuar. Duhet ta provosh veten në skena të ndryshme, në konkurse të ndryshme. Një artist i cili nuk zhvillohet jashtë kornizave të vendit të tij, mendoj se është një artist i pazhvillaur aq sa duhet”, përfundon ajo.

Zonja Tullumani thotë se opera në Shqipëri përballet me probleme të shumta, që shpesh herë e zbehin interesimin e të rinjve për operan.

Por ajo shton se artistët që nuk dorëzohen para këtyre sfidave, e kanë të sigurt ngjitjen në skena të mëdha botërore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat