Artistët që mund të bëjnë histori në “Grammy Awards”!

Muzikë

Artistët që mund të bëjnë histori në “Grammy Awards”!

Më: 3 prill 2022 Në ora: 06:53
Ilustrim

Pas një vonese prej më shumë se dy muajsh të shkaktuar nga një pandemi e paparashikueshme, çmimet “Grammy” rikthehen të dielën me një mori momentesh të mundshme historike.

Sipas “CNN” këta janë pesë të nominuarit – disa emra të njohur, ndërsa disa emra të tjerë janë të rinj – në prag të të bërit histori.

1.Kanye West

Reperi i njohur Kanye West mund të jetë i padëshiruar këtë vit si interpretues i mbrëmjes “Grammy Awards”, por ai do të zërë një vend në histori nëse tejkalon 23 fitoret e reperit Jay-Z – i cili ka deri më tash më së shumti trofe si një artist i zhanrit hip hop. Ye ka 22 çmime “Grammy” dhe është nominuar për pesë të tjera, duke përfshirë një nga çmimet kryesore, ‘Albumi i vitit’ për albumin e tij “Donda”.

2.BTS

Grupi i djemve BTS bëri histori vitin e kaluar si yjet e parë koreanë të muzikës pop që fituan një nominim për “Grammy” në kategorinë “Performanca më e mirë e një duo/grupi të zhanrit pop”. Nëse albumi i tyre “Butter” fiton në atë kategori këtë vit, ata do të jenë grupi i parë i zhanrit K-pop që fitojnë një “Grammy”.

3.Olivia Rodrigo

Olivia Rodrigo është nominuar për shtatë çmime për albumin e saj debutues, “Sour”, duke përfshirë kategoritë e rëndësishme si: “Artistja e re më e mirë”, “Albumi i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Incizimi muzikor më i mirë i vitit” – dy të fundit për baladën e saj mbresëlënëse “Drivers license”.

Nëse ajo i merr të gjitha ato çmime, Rodrigo, 19 vjeçe, mund të bëhet artistja e dytë më e re që do të shpërblehet në katër kategoritë kryesore të “Grammy Awards”.

4.Tony Bennett

Tony Bennett fitoi për herë të parë çmimin ‘Albumi i vitit’ për “I Left My Heart In San Francisco” në ceremoninë e pestë vjetore të “Grammy Awards”. Kjo ishte në vitin 1963, dhe ai është ende duke marrë një “Grammy” disa dekada më vonë.

Bennett ka pesë nominime këtë vit për bashkëpunimin e tij me Lady Gaga, duke përfshirë kategoritë kryesore “Albumi i vitit” dhe “Incizimi muzikor i vitit”. Dyshja janë nominuar për ‘cover’-in e tyre të Cole Porter me titull “I Get a Kick Out of You”, një këngë e shkruar rreth 88 vjet më parë.

Në moshën 95-vjeçare, Bennett është personi më i vjetër që ka nxjerrë ndonjëherë një album me materiale të reja – me disa nga sukseset e tij më të mëdha që kanë ndodhur në dekadën e fundit.

5.Jon Batiste

Këngëtari Jon Batiste kryeson listën e të gjithë artistëve të nominuar këtë vit me 11 nominime për “Grammy” në zhanre të ndryshme, duke përfshirë kategoritë kryesore: “Incizimi muzikor i vitit”, “Albumi i vitit” si dhe çmimet “Interpretimi më i mirë solo i zhanrit jazz” dhe “Albumi më i mirë i zhanrit R&B”.

Nëse Batiste merr në shtëpi të paktën nëntë çmime të dielën, ai do të shënojë një tjetër moment historik: duke ia kaluar Michael Jackson dhe Santana si artistët që kanë fituar më së shumti çmime “Grammy” në një vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat