Me siguri ju ka ndodhur të përpiqeni të merrni biletën për një koncert ku këndon artisti juaj i preferuar dhe brenda sekondash biletat ose kanë mbaruar, ose faqja nuk punon.
E njëjta gjë ka ndodhur me Eurovisionin. Kush e pati fatin, arriti të kapë bileta, ndërsa të tjerët thjesht nuk qenë aq fatlum.
Biletat për Torino dolën online të enjten më 7 prill dhe u shitën brenda 10 minutash, ndaj vetëm ata që ishin online duke i pritur arritën të kapin një vend në netët gjysmë finale dhe finalen e madhe të Eurovision 2022, që do mbahet në 12 dhe 14 maj.
Çmimet e biletave varionin nga 30-150 euro për gjysmëfinalet dhe 200-350 euro për finalen e madhe. Puna për skenën dhe realizimin teknik të festivalit ka nisur dhe gjithë Evropa i ka sytë nga Italia.