Instituti Kombëtar i Muzikës në Afganistan dha koncertin e parë në shtëpinë e re, në Lisbonë të Portugalisë. Anëtarët në mërgim të këtij instituti janë të vendosur të mbajnë gjallë muzikën afgane edhe pse nuk mund ta luajnë atë në vendlindje. Gazetarët e Zërit të Amerikës Farkhunda Paimani dhe Manuza Shaeed ndoqën koncertin në Lisbonë.
Instituti Kombëtar i Muzikës në Afganistan, i cili ka qenë i heshtur për më shumë se një vit, tashmë ka nisur të japë shfaqje në një vend të ri, në Lisbonë të Portugalisë.
Teksa orkestra luante këngët tradicionale afgane disa prej të pranishmëve u përlotën.
“Ishim shumë të lumtur të dëgjonin himnin tonë. Jemi të gjithë miq. Nuk mund të kontrollonim emocionet dhe qamë”, tha Anwar Hashimi, një refugjat afgan.
Në audiencë, afganët ishin të lumtur dhe krenarë.
“Si një afgane, jamë shumë e lumtur që sot shoh të rinj afganë të shënojnë këtë arritje në një vend europian”, shprehet Murarid Nazif, një refugjate afgane.
Qëkurse erdhën në pushtet vitin e kaluar, talebanët kanë vendosur kufizime të forta, duke përfshirë edhe ndalimin e muzikës.
Përpara koncertit u shfaq dokumentari i Zërit të Amerikës, “Simfonia e kurajos”, ku drejtoresha në detyrë e Zërit të Amerikës, Yolanda Lopes tha se ndalimi i muzikës përfaqëson një goditje të madhe të lirive në Afganistan.
“Humbja e lirisë për të krijuar, vënë në skenë dhe shijuar muzikën pasqyron humbjen e lirisë në Afganistan dhe ne, në Zërin e Amerikës, jemi përpjekur çdo ditë për lirinë e fjalës dhe tani qytetarët afganë janë të etur për informacion, lajme dhe muzikë”, tha Yolanda Lopez, drejtore në detyrë e Zërit të Amerikës.
Më shumë se 270 studentë të Institutit të Muzikës dhe anëtarë të stafit akademik janë evakuuar nga Afganistani në Lisbonë, ku mund të luajnë lirisht muzikën e tyre, në një shoqëri të hapur.
Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë tha se Instituti përfaqëson me të mirën e kulturës afgane dhe se vendi i tij ishte shumë krenar që e mirëpriste.
“E dimë se do të vijë dita që muzika do të luhet sërish në Afganistan dhe për ketë është e nevojshme të mbajmë gjallë këtë fill në Portugali. Jemi shumë krenarë që mund të kontribuojmë për këtë”, tha João Gomes Cravinho, ministër i Punëve të Jashtme të Portugalisë.
Studentët thonë se ndihen krenarë që përfaqësojnë vendin e tyre.
“Jam shumë e lumtur dhe me fat që jam dikush që po i jep zë atyre që janë sot në Afganistan”, tha muzikantja Shogufa Khan,
Instituti planifikon të mbajë koncerte jashtë vendit për të prezantuar muzikën afgane dhe për t’u dhënë shpresë njerëzve të vendlindjes së tyre./VOA