Ansambli Folklorik Autokton “Rugova”, shënoi 75 - vjetorin e themelimit, aktiviteteve dhe punës

Muzikë

Ansambli Folklorik Autokton “Rugova”, shënoi 75 - vjetorin e themelimit, aktiviteteve dhe punës

Valdet Hysenaj Nga Valdet Hysenaj Më 29 dhjetor 2022 Në ora: 14:20
Pamje nga vendi i ngjarjes

Krenaria dhe fisnikëria e Alpeve tona AFA “Rugova”, kjo gurrë e pashuar tradite dhe ky burim frymëzimi për breza, në mbrëmjen festive me rastin 75 – Vjetorit të jetës, punës, dritës dhe rritës, të mbajtur më 23.12.2022, në sallën Univers, Pejë, para afro 1000 të ftuarish shpalosi ritualet e jetës dhe trashëgimisë shpirtërore të lashtë sa vetë populli që e përfaqëson, përmes të bukurës në artin e lëvizjes, këngës, valles, artit të lirë, natyrshëm, pastër, estetik; shpalosi këtë pasuri të çmuar kombëtare, me ç’rast kjo minierë emocionesh prezantoi eposin artistik plot histori, duke paraqitur njëherësh simbolikat dhe shprehjet më origjinale të intuitës krijuese dhe të imagjinatës së popullit tonë.

Pjesa e parë

Promovimi i dy librave

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Manifestimi filloi punën me përurimin e dy librave për AFA “Rugova” si ruajtëse e trashëgimisë, e dokeve dhe e zakoneve të kësaj ane:

Visare të trashëgimisë shpirtërore të Pejës me rrethinë II, AFA “Rugova” – thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare, Pejë, 2019 dhe

Lojërat Tradicionale të Rugovës, Sofra pejane si vlerë autentike, Pleqnia në odat e anës së epërme të Dukagjinit.

Librat u botuan nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, me mbi 1000 faqe, nën përkrahjen e drejtoreshës së kësaj qendre dr. Shpresa Gjonbalaj, me kryeredaktor, përkujdesës dhe përgatitës për shtyp, prof. dr. Zymer (Ujkan) Neziri, ishte kjo një punë e jashtëzakonshme, u shpreh drejtuesi i këtij promovimi dr. Dardan S. Lajqi, e madhe, disavjeçare, me vlerë të pamatshme për trashëgiminë e kësaj ane, sidomos të Krahinës së Rugovës, ku janë ruajtur rrënjët e lashta, të vijimësisë kulturore ilire të gjuhës, të veshjes, të këngëve, të valleve, të riteve e miteve, përdundoi Lajqi.

u mbajt në prani të dhjetëra personaliteteve të shquara nga jeta kulturore, politike, shoqërore dhe shkencore. Për librin e parë me kumtesa u paraqitën:

Prof. dr. Hasan Mujaj, Zyrafete Muriqi - Lajqi, prof., Arbnesha Kelmendi-Draga, prof. dhe prof. dr. Valdet Hysenaj

Kurse për librin e dytë referuan: Nazmi Ibërdemaj, refer ndërkombëtar dhe Indira Hoxha, ekonomiste.

Pjesa e dytë Programi artistik

75 – Vjet mburrje dhe krenari

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Manifestimi u shënua pikërisht, më 23.12.2012, në sallën e restorantit “Univers” në Pejë, i cili edhe njëherë u bë mbështetje e një aktiviteti i cili ngado që të vështrohej rrezatonte kulturë, art, traditë e histori, në prani të një numri të konsideruar mysafirësh dhe artistësh, në ditëlindjen e 75, me mburrje e krenari prezantoi begatitë shpirtërore të trashëguara dhe të përcjella nga brezi në brez.

Shumësi pjesëmarrjeje të personaliteve të shquara vendore dhe përfaqësues nga të gjitha trojet etnike

– Vjetorin e AFA e madhështuan shumë personalitete të shquara nga trojet tona etnike, ambasadorja e RK në Itali, znj. Lendita Haxhitasim, konsulli i Përgjithshëm e Republikës së Shqipërisë në Romë z. Franqesk Fusha, deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, prof. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, Tiranë, Rexhep Kurbogaj, kryetar I KK Pejë, aktivistët Mehemt Bardhi, Gjergj Camaj, Marash Dedvukaj, Ali Daci, Haxhi Lajçi, dhjetëra intelektualë të shquar rugovas të prirë nga prof. dr. Hasan Mujaj, dr. Jeton Kelmendi, dr. Dardan Lajqi, gazetarët Smajl Smakaj dhe Hajdar Mekaj, profesorët Isë Nikçi, Artan Demaj, Zekë Muçkurtaj, veprimtarët Halit Barani, Ali Lajqi, Rrahman Lajqi, Sali Lajqi, po ashtu ishin prezentë edhe pjesëmarrësit e tryezës shkencore e cila u organizua dhe u mbajt nën drejtimin e prof. dr. Zymer (Ujkan) Nezirit: AFA “Rugova” – thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare II dhe libri i dytë: “Lojërat Tradicionale të Rugovës” mbajtur në orën 14:00, prof. dr. Hasan Mujaj, prof. dr. Nebi Bardhoshi, prof. dr. Valdet Hysenaj, si dhe krijuesit Agim Deskaj, Riza Dreshaj, Ali Daci, Esat Loshaj, Haxhi Lajçi, Osman Shala etj.

Këtë manifestim gjithëkombëtar e nderuan me pjesëmarrje edhe organizata të dala nga lufta e UÇK-së, veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, pensionistë, përfaqësues të subjekteve shtërore, komunale, politike, kulturore, përfaqësues të institucioneve të komunës së Pejës, udhëheqës e drejtues institucionesh shkencore, arsimore e kulturore…

Shënimi i 75 - Vjetorit të Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, u organizua nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit

Me sponsor gjeneral Radio Televizionin e Kosovës

Përshëndetje domethënëse për pjesëmarrësit

Zëri i drejtuesve Dodonë dhe Valdet Hysenaj shënoi fillimin e një dasme të madhe. Mirë se keni ardhur … qofshi faqebardhë, sepse sonte, me rastin e 75 – vjetorit të jetës dhe punës së AFA “Rugova”, na nderuat me pjesëmarrje.

Përmes paraqitjeve të sontme do të bëjmë prezantimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të etnoregjionit të Rugovës, sepse kulturës gjithëkombëtare, kjo krahinë i dha në vazhdimësi vlera të mirëfillta artistike kombëtare që na bashkuan sonte, pra, na bashkoi ky thesar i çmuar popullor, kjo trashëgimi e së kaluarës, e së tashmes dhe e së ardhmes, kjo krenari Jona në rrjedhë motesh, krenari me bardhësi alpesh tona.

Njëherësh të gjitha prezantimet e sontme janë disa nga kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare me të gjithë elementët e tij dhe sigurisht se do të risjellë në vëmendje pasurinë e çmuar që përçoi dhe po e përçon tek brezat e rinj.

Sonte do të kujtojmë bashkërisht sfidat, rrugëtimin dhe vështirësitë që përballoi sot e 75 vjet ansambi, për lumin e sukseseve, për paraqitjet unike me folklorin burimor rugovas, për namin, vendin që i bëri vetes në qarqet sipërore të kulturës anekënd trojeve etnike dhe më gjerë, për lartësimin dhe nderimin e Krahinës kreshnike të Rugovë, Pejës, Kosovës, Shqipërisë, për kënaqësinë që na ofroi sot, na bashkoi, në shënimin e 75 vjetorit të tij…

Fillimisht një mirëseardhje për pjesëmarrje në dasmën e madhe përmes një përshëndetjeje – kronologji kohërash erdhi nga kryetari i Ansamblit z. Vesel Nikçi.

Ansamble nga Shqipëria dhe Kosova dhe këngëtarë të shquar marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe

Ishte i gjatë karvani i emrave dhe këngëtarëve pjesëmarrës të përzgjedhur, dinjitozë, debutes, nga më të dashurit dhe më të dëgjuarit, si dhe i ansambleve të cilat paraqitën elemente nga më të mrekullueshmet, në një atmosferë vërtetë të denjë, çfarë edhe ishte.

Në fillim është paraqitur AFA Rugova, të cilët me programin e tyre u shquan për mozaikun, ruajtjen dhe kultivimin e thesareve muzikore.

Programi u begatua dhe u vazhdua nga:

Grupi Polifonik “Gjergj Arianiti” nga Mallakastra, drejtuar nga korifeu i vërtetë i këngës polifonike Guri Rrokaj, mjeshtër i madh

Ansambli me vlera burimore “Bresana” nga Opoja, drejtuar nga Fejsar Shaqiri prezantoi dromca kulturore autoktone shqiptare të trashëgimisë së Opojës me të gjitha vlerat e mirëfillta që i ka ruajtur gjatë shekujve dhe që i kultivon edhe sot e kësaj dite, që u dallua me karakteristikat e veta si për nga mënyra e rëndë, e qetë dhe burrërore gjatë ekzekutimit, po ashtu edhe për fushën e ndërtimit morfologjik të kërcimit.

Shoqata “Atdhetare-Dukagjini” Shkodër, prirë nga kolonel Ndue Sanaj, e përfaqësuar nga këngëtarët në duet: Gjon Kosteri e Prelë Milani, Gentian Gropaj dhe Bledar Hyseni edhe një herë dëshmoi përfaqësim të denjë në mbroje të vlerave të trashëgimisë, interesave historike dhe kulturore të komunitetit dukagjinas, përmes zërit të bilbilave të saj.

Ansambli “Josip Rela” nga Podujeva, me paraqitje tregoi një panoramë të mirë për avansimin e gjendjes kulturore në përgjithësi, sepse vazhdimisht po ofron vlera të mirëfillta të valles popullore përmes së cilës në mbrëmjen e sontme krijoi një formë unike komunikimi me masën, duke e përmbyllur me mbresëlënie.

Ansambli nga Deçani, udhëhequr nga Genc Tetaj, me repertorin e vet përfshiu vallen e njohur popullore deçanase, vallen dyshe, me ç’rast publikut të gjerë ju mundësua të shijojë vallen më autentike tradicionale të kësaj ane, të luajtur me ngjyra ylberi dhe të ngopur me motive kombëtare.

Ansambli “Dardania” nga Tropoja, nën drejtimin e Deli Metaliut, dëshmoi se është bartës i emancipimit kulturor dhe se kërcimi i tyre është më i vjetër se vet vallja. Artistët tropojanë, me shkëputjet e tyre të vazhdueshme nga toka, dëshmuan se kanë shpirt kreativ, në funksion të pastrimit të shpirtit e trupit të tyre, por edhe në funksion të punës dhe argëtimit, prandaj jo rastësisht i mbushi zemrat e të ftuarve me përshtypje të këndshme dhe gjurmë shumë të ndritshme që do të mbesin në kujtesën e tyre.

Kantautori i baladave hite, Esat Ruka, mjeshtër i madh, i cili në vazhdimësi i dha shumë artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, interpretoi me timbër të veçantë një këngë kushtuar presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, të papërsëdytshmit, burrështetasit me përmasa botërore, këngë kjo të cilës Ruka i dha krah qiellor, duke sjellë para të pranishmëve gëzime dhe emocione.

Për vëllezërit Panxhaj, performimi shkëlqyer folklorik autokton dhe duartrokitjet, ishin treguesi më i mirë dhe i vërtetë i suksesit që gëzonjnë artistët, duke kthyer kështu imazhin artistik e muzikor të trevës së kësaj ane, që e kishte dikur, që të prezantojë vlerat e mirëfillta të etnosit të kësaj treve.

Ansambli Folklorik është një ekip njerëzish krijues që veprojnë si bartës të kulturës dhe traditës, qëllimi i tyre është të ringjallin dhe të forcojnë vlerat kulturore kombëtare dhe traditat e këngës së folklorit rugovas, e një gjë të tillë po i shkon për shtati mjeshtrit të madh të AFA-s Shaban Demaj, i cili shkëlqeu me këngën e tij, për tekstin, muzikën dhe interpretimin autorial, duke lënë mbresa të thella te publiku dhe duke e lartësuar dhe ngritur një monument të ri arti dhe kulture rugovase, pejane dhe shqiptare në përgjithësi.

Me vëmëndje është ndjekur edhe kënga e kënduar nga Agim Hysenaj, si për nga përmbajtja (motive trimërie dhe trima rugovas) po ashtu, edhe për muzikalitetin dhe interpretimin.

Këtë manifestim ikonik folklorik e begatoi paraqitja e doajenit të këngës, Ismet Dema, i cili sërish dëshmoi talentin e tij prej artisti që i kushtoi kohën dhe aftësitë e tij artit të lidhur me traditat kulturore.

Vogëlushi Drin Blakaj me këngën e tij para të pranishmëve mirëprit dhe tregoi qartazi se tashmë është një filiz i ri në skenën e muzikës folklorike për fëmijë.

Filmat e shkurtër dokumentarë, dëshmi për histori

U shfaqën edhe dy filma dokumentarë: Kenagjeqi, në regji të Fatos Lajqit, i prezantuar gjatë tryezës shkencore dhe Kronologji 75 - vjeçare e AFA “Rugova” në përgatitje të Faton Bytyqit i cili njëkohësisht shfrytëzoi arkivin e pasur të përfaqësuesit të ansamblit z. Vesel Nikqit, përgatitjen, përkujdesjen dhe leximin e tekstit Valdet Hysenaj, dokumentarë këta të cilët krijuan një pamje reale të jetës së rëndë të malsorëve në njërën anë si dhe shpalosën rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të kryeveprës së artit rugovas AFA “Rugova”, me të gjitha paraqitjet, sukseset dhe kujtimin pë ata që na kanë lënë.

Rugova nderon vlerat

AFA “Rugova”, për kontributin shumëvjeçar dhe shumëdimensional, për përkrahjen dhe çmuarjen e vlerve kulturore kombëtare nderoi me MIRËNJOHJE të veçanta në plaketë:

1. Ministrin e kulturës z. Hajrullah Çeku 2. Komunën e Pejës, z. Gazmend Muhaxheri 3. Elkos Gup, z. Ramiz Kelmendi 4. Kapllan Nikqi, mjeshtër i madh 5. Rifat Berisha, artist i merituar 6. Prof. dr. Zymer (Ujakan) Neziri, studiues folklori 7. Institutit Rajonal të Trashëgimisë – Pejë, dr. Shpresa Gjonbalaj, për përkrahje të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të trevës së Rugovës.

MIRËNJOHJE me kopertina

Familjeve kontribuese

Ramë K. Nikqi, Plakaj, Shtupeq i Madh, 2. Rrustem Bajrami, Imeralijaj, Shtupeq i Madh 3. Lake Haxhja, Kuklecaj, Shtupeq i Madh, 4. Ramë Elezi, Ibërdemaj, Shtupeq i Vogël, 5. Isë Elezi, Koshutan, 6. Idriz B. Kelmendi, Gjevukaj, Kuqishtë, 7. Misin Nimani Sejdaj, Kuqishtë, 8. Shpend B. Salihaj, Kuqishtë, 9. Brahë Delija, Smajlaj, Stankaj, 10. Adem Kurtaj, Stankaj, 1 Idriz Lulaj, Stankaj, 12. Haxhi Ceka, Muçkurtaj, Bogë, 13. Shaqir Selmanaj, Haxhaj

Gjeneratat ndër vite

Lirije R. Niqi, 2. Bekë H. Nikqi, 3. Zoje I. Smajlaj, 4. Gjyke Zekaj, 5. Shpresa Lajqi, 6. Violeta Kajtazi, 7. Zenel I. Nikqi, 8. Ramë (Brahim) Nikqi, 9. Shaban Demaj, 10. Florim Nikqi, 1 Fatos Selmani, 12. Rifat K. Nikqi, 13. Dr. Valdet Hysenaj.

Kontribuesve ndër vite

Ujë Rugove, 2. Elsa Mermer, 3. Restorani “Univers”, 4. Idriz Kurbogaj

Post mortum

Shaban S. Muriqi, 2. Bajram Ibishi, 3. Sadik R. Abazaj, 4. Malë Kapllani, 5. Shege Kelmendi

Për bashkëpunëtorë

Dr. Bashkim Lajqi, 2. Vjollca Aliu, QRTKK – Pejë, 3. Xhenet Syka, DRKS Pejë, 4. Valmire Husaj – Latifaj, 5. TV – Fontana, baca Zeqë, 6. Kujtim Shala, 7. Xhelal Teta.

Dhuruan për AFA “Rugova”

Fatmir Zhel Hasani, dy kobure dhe një thikë të vjetër të cilat do të përdoren gjatë vallëzimit, 2. Ajkuna Ibraj – Lajqi, një pkturë me motive të ansamblit, Shoqata “Atdhetare - Dukagjini” Shkodër mirënjohje për për Shaban Demaj, anëtar nderi dhe Minella Kureta, mjeshtër i madh, ndau një mirënjohje për AFA Rugova, në emër të Unionit Artistik të kombit shqiptar, njëherit drejtor i tij.

AFA “Rugova” gjatë kësaj mbrëmjeje u shqua:

Për nivelin e ekzekutimit të pjesëve të caktuara muzikore;

Për dëshminë se kemi forca krijuese të cilave AFA “Rugova” ua mundësoi shpalosjen e artit të tyre;

Për bashkëpunimin e ndërsjellë me grupe dhe individë të caktuar;

Për dëshminë në skenë, si prezantim të frymës vëllezërore gjë që kontribuan për krijimin e imazhit pozitiv për AFA “Rugova”, imazh ky i krijuar për 75 vjet radhazi besnikërisht.

Çastet, minutat dhe orët e përjetuara në këtë 75 - vjetor do të mbesin në mbamendjen dhe imazhin e akcilit pjesëmarrës si shënim i veçantë dhe i paharruar.

Në vend të përfundimit:

AFA “Rugova” me programin e vet dëshmoi edhe njëherë se kurrë nuk e ka aranzhuar aktivitetin e vet artistik sepse mëtimi i tij ishte dhe është që të ruanin dhe të ruajnë natyrën e tyre të mirëfilltë. Mënyra autentike e të gjitha paraqitjeve, valleve dhe të të kënduarit, si dhe kostumet tradicionale popullore, kontribuojnë në aromën origjinale të ansamblit.

Ky ansambël gjatë historisë së tij të gjatë ka dëshmuar të jetë një pasuri e rrallë, unikate, në ruajtjen e arritjeve tradicionale, kulturore, muzikore dhe artistike të popullit tonë, të vjetra dhe të reja. Dhe tani po vazhdon të jetë një ambasador i shkëlqyer kulturor për etninë tonë në përgjithësi në sjelljen e këtyre thesareve kulturore në vëmendjen e botës më të gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat