50 vjetori i themelimit të Hip Hopit

Muzikë

50 vjetori i themelimit të Hip Hopit

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 23:44
Foto ilustrim

Para gjysmë shekulli, në lagjen më të varfër të Nju Jorkut, Bronks, lindi një fenomen i ri kulturor, ai i muzikës Hip Hop.

Data e themelimit të Hip Hopit njihet si 11 gushti i vitit 1973, në një festë të organizuar nga artisti DJ Kool Herc, disa ditë pasi bandat kriminale në lagjen e Bronksit arritën një armëpushim.

Pesë dekada më vonë, ajo që nisi si një lëvizje për drejtësi sociale dhe racore, është përhapur në mbarë botën dhe është kthyer në një industri miliarda dollarëshe. Por Bronksi vazhdon të jetë pjesa më e varfër e qytetit të Nju Jorkut.

Industria e muzikës Hip-Hop lindi në Bronks të Nju Jorkut, një lagje e goditur nga varfëria dhe një zonë e shkatërruar urbane, që po përballej me dhunë të vazhdueshme nga bandat kriminale.

Tingujt e kësaj muzike “përfaqësojnë një qytet në kolaps, por njëkohësisht me aftësi për t’u ripërtërirë”, thotë Mark Naison, profesor i historisë në Universitetin Fordham në Bronks.

Festat e organizaura në rrugët e kësaj lagjeje me elementet e Hip-Hopit, krijuan një dritare për artistët, që me krijimet e tyre, të shprehnin ndjenjat dhe t’u iknin vështirësive të jetës së përditshme.

Katër shtyllat themelore të Hip Hop-it, muzika e luajtuar nga një DJ, repi, vallëzimi i njohur si ‘breakdance’ dhe mbishkrimet në mure ose ‘grafitet’, lindën në Bronks si “një përgjigje kulturore e një komuniteti të braktisur nga institucionet”, thotë Rodrigo Venegas, i njohur me nofkën “Rodstarz”.

“Doni të ndalni programet tona të artit? Ne do ta kthejmë gjithë qytetin në një vepër arti. Dëshironi të ndalni programet tona muzikore? Ne do t’i kthejmë pllakat e gramafonit në instrumente. Dëshironi t’i mbyllni gojën komunitetit tonë? Ne do të marrin mikrofonët dhe do të ngrejmë zërat tanë”, thotë ai.

Gjatë viteve 70 dhe 80, trenat e metrosë që shkonin drejt Manhatanit ishin të mbuluar me mbishkrimet e artistëve të rinj.

“Ishte një mënyrë për t’u ndjerë të vlerësuar. Ne e shihnim qytetin e Nju Jorkut dhe trenat që kalonin në të, si një hapësirë ku mund të shkruanim emrat tanë dhe të thoshim se unë jam dikushi”, thotë Lloyd Murphy, nofka e së cilit është “Topaz1”.

Me kalimin e viteve, Hip Hopi nisi të zgjerohet në pjesët e tjera të qytetit të Nju Jorkut, Shteteve të Bashkuara dhe botës.

Por ndërsa artistët dhe emrat e mëdhenj të Hip Hopit shënojnë 50 vjetorin e një industrie që sot ka vlerën e miliarda dollarëve, vendlindja e kësaj lëvizje vazhdon të mbetet pjesa më e varfër e Nju Jorkut.

Bronksi ende nuk e ka kapitalizuar kulturën që e krijoi vetë.

Në kohën e themelimit të Hip Hopit, Bronksi kishte shkallën më të lartë të varfërisë, jo vetëm në qytetin e Nju Jorkut, por nga të gjitha 62 bashkitë e shtetit të Nju Jorkut. Pesëdhjetë vjet më vonë, kjo lagje është në gjendje të njëjtë.

“Më duket ironike që një nga industritë më të pasura të kulturës amerikane vjen nga një vend që vazhdon të jetë një nga pjesët më të varfra të vendit tonë”, thotë njohësja e kësaj industrie Majora Carter.

56 vjeçarja ka përjetuar jetën e vështirë në Bronksin e goditur nga problemet si pasojë e drogave, prostitucionit dhe krimit. Vëllai i saj u vra nga bandat kriminale.

Kultura e hershme e Hip Hopit ishte pasqyrim i realietit të vështirë në Bronksin Jugor.

Qyteti i Nju Jorkut në tërësi po përballej me krizën pas falimentimit në vitet 70, ndërsa Bronksi po vuante si pasojë e mungesës së investimeve dhe largimit të klasës së mesme.

“Bota nuk ishte një fushë me lule, flutura dhe rreze dielli, veçanërisht nëse jetonit në jug të Bronksit”, thotë artisti i mbishkrimeve në mure, Edward Jamison.

Në fillim të viteve 70, pas vrasjes së pjesëtarit të bandës dhe grupit muzikor “Ghetto Brothers”, i njohur me nofkën “Black Benjie”, grupet rivale nënshkruan një marrëveshje paqeje, gjë që mundësoi organizimin e festave në rrugët e lagjes.

Më 11 gusht të vitit 1973, artisti DJ Kool Herc organizoi një festë në shkollën e motrës së tij të vogël. Ai njihet si themeluesi i muzikës Hip Hop. Në këtë ditë, lindi një fenomen i ri muzikor.

“Këtyre fëmijëve nuk u kishte ngelur asgjë dhe ata krijuan diçka për t’i dhënë kuptim, drejtim dhe siguri jetës së tyre. Askush që ishte pjesë e fillimeve të Hip Hopit në Bronks nuk u pasurua. Por ata shpëtuan jetë. I dhanë kuptim jetës”, thotë profesori Mark Naison.

Muzeu i Hip Hopit pritet t’i hapë dyert për vizitorë më 2025.

Banorët shpresojnë që muzeu i Hip Hopit të rrisë numrin e turistëve dhe banorëve të Nju Jorkut që vizitojnë Bronksin Jugor, në mënyrë që kjo lagje, më në fund, të përfitojë nga trashëgimia e Hip Hopit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat