Pse Parashqevi Simaku është miti më i madh shqiptar!

Muzikë

Pse Parashqevi Simaku është miti më i madh shqiptar!

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 18:35
Parashqevi Simaku

Parashqevi Simaku është një nga këngëtaret më të njohura të viteve ’80 në Shqipëri. Në periudhën e Shqipërisë komuniste, Parashqevia ishte ikona e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, ishte në të 20-tat, shumë e re dhe e bukur, elegante, dinte të vishej dhe të sillej në skenë, kishte buzëqeshje që zor se mund ta harroje, klas, finesë e mbi të gjitha një zë të pangatërrueshëm.

“Një nga zërat më të rrallë të muzikës shqiptare. Ajo këndonte muzikën e lehtë, por këndonte shumë mirë edhe këngën popullore. Kur këndonte këngën e Qamiles, të rrënqethte mishin. Parashqevia është zëri femëror më i mirë i skenës shqiptare”, shprehet kompozitori Agim Krajku.

Kompozitori Agim Krajku ka folur gjithnjë me superlativa për Parashqevinë me të cilën ka punuar në ato vite, madje vlerësimi i tij ka shkuar aq larg sa në një intervistë në 2015-tën tha me bindje të plotë se ‘një zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë’.Nëse keni lindur në 90-tën dhe emrin Parashqevi Simaku e keni dëgjuar vetëm nga më të mëdhenjtë, s’keni faj nëse ju duket si një mit i madh. Ajo është zhdukur krejtësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe gjithçka thuhet rreth saj janë thashetheme, që e kanë ndjekur qysh kur ka vënë këmbë për herë të parë në skenën e muzikës shqiptare.

Lindur në Kavajë, Parashqevia i hyri muzikës në moshën 14-vjeçare, kur familja e saj u transferua në Durrës.

Një vajzë aq e re, shumë e bukur, që vinte nga një familje shumë e varfër shqiptare, u bë objekt diskutimi, dashurie dhe urrejtjeje kryesisht brenda gjinisë, sepse ishte më e suksesshmja në atë që bënte. Merrte pjesë në festivale dhe fitonte çmime të para: më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Dukej sikur mund të arrinte gjithçka me lehtësinë më të madhe dhe kjo për shumë ishte e pakonceptueshme.

Në këtë moment nisi të përflitet si e pamoralshme, diskutohej për lidhje, në veçanti për romancën me Luan Pobratin, shefi i ish-Sigurimit të Shtetit.

Parashqevia ishte krejt ndryshe nga koleget e saj asokohe, me një sjellje prej kokete alla Marilyn Monroe, gjithnjë e kuruar me veshje që nuk ishin parë ndonjëherë në skenat shqiptare. Kishte një frymë perëndimore në sjelljet dhe qëndrimet e saj, ëndërronte Hollywood-in dhe pa frikë mund të themi se ka thyer mentalitetin shqiptar.

Parashqevia u largua drejt Amerikës në 91-shin, kur ishte vetëm 25 vjeç. Vazhdoi të merret me muzikë, madje thuhet se bëri shumë para duke kënduar për shqiptarët atje, që kishin mall për të dëgjuar këngët e saj dhe adhurim të veçantë për artisten shqiptare.

“Në Amerikë qëndroi 6 muaj në shtëpinë time. Na kërkuan  të bënim disa këngë bashkë, i kishim të gjitha të paguara, por ajo kërkoi të ikte në Hollivud,” tregon Agim Krajku për të. “I thashë të mos e bënte këtë gabim. Por zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë.

Pas dy tre vjetësh e takova, i ishte pjekur fytyra sikur e kishte futur në furrë. Por e shkreta ajo, gjysmën e trurit e kishte bosh. Çfarë bëri ajo në Hollivud? Gjeti një djalë gjoja amerikan që i binte kitares dhe u martuan. Kënduan në dasma. Më pas i ra një sëmundje…”

Hera e fundit që Parashqevi Simaku ka ardhur në Shqipëri ishte në vitin ‘97-të, për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës. Në një intervistë dhënë asokohe për Rudina Xhungën në gazetën ‘Koha’, Parashqevia foli për romancën e saj me bashkëshortin amerikan, Robertin.

“Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Marilyn Monroe.”

Ajo tregonte se Roberti i dhuronte shumë dashuri, dhe sipas një liste që kish shkruar më parë, ku rendiste 10 vetitë që duhet të kishte bashkëshorti i ardhshëm, Roberti plotësonte 13.

Dhe pas gjithë tymnajës së thashethemeve që e shoqëronte gjatë karrierës, foli për herë të parë për lidhjen e dështuar që kishte lënë pas në Shqipëri. Ai dashuronte politikën, ajo artin, mes tyre nuk pati kurrë një pikë takimi. Parashqevia ishte e sinqertë, tepër e sinqertë në intervistën e parë të atij lloji. “Jam zemërbutë dhe duhet ta kenë shkelur me mua,” tregoi ai të metën e saj më të madhe në lidhjet e dashurisë.

E megjithatë, Parashqevisë nuk i bëhej vonë për komentet. Ajo e dashuronte famën dhe popullaritetin, aq sa nuk bënte dot më pa thashetheme. “Thashethemet për artistët, janë nga më të paimagjinueshmet, por unë mundohem t’i marr për kompliment. Madje të tilla ngacmime për mua dikur ishin bërë pjesë e jetës, aq sa gjatë qëndrimit në Amerikë ndjeja se më mungonin.”

“Prindërit ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s’dëshiron t’i dëgjojë për bijën e vet. Unë nuk kam bërë asnjëherë me ta artisten, por fëmijën e përulur, vajzën që lan, pastron shtëpinë, që s’del, kur ata nuk duan, që para se të futet në shtëpi nga shfaqja, fshin trukun që ata s’e durojnë dot, që ju kërkon kohë, pak kohë për martesë, duke ju premtuar se padyshim një ditë do t’i gëzojë si cilado vajzë, prindërit e vet, me martesën e aqpritur.”

Parashqevia u martua, lindi dhe një djalë nga martesa e saj me Robertin, Luke, por gjithçka mori fund në 2012-tën. Paskëtaj u tha se këngëtarja pësoi një paralizë faciale, por gjithçka mbetej në kuadrin e thashethemeve. Asgjë nuk është dëgjuar nga Parashqevia vetë, ikona e muzikës shqiptare vazhdon të mbetet në memorien e shqiptarëve si ajo vajza e bukur, e hijshme, me bel të hollë dhe fustanin rozë.

Ndërsa për gjithë të tjerët vitet kanë kaluar dhe kanë lënë gjurmë në pamjen e jashtme, apo janë ‘konsumuar’ me lajme në media, Parashqevia mbeti një mister i bukur, një periudhë e artë e muzikës shqiptare. Vajza ndryshe, që ende sot duket sikur përpiqet të imitohet nga emra të mëdhenj të muzikës shqiptare. (Anabel.al)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat