Me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, Filarmonia e Kosovës do të mbajë sonte “Koncert për Paqe” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë nga ora 20:30.
Mbi 200 muzikantë të drejtuar nga dirigjenti Baki Jashari do të sjellin interpretimin e veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe” nga Karl Jenkins (dedikuar viktimave të Kosovës) dhe dy vepra nga John Philip Sousa në shënim të 248-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve. Në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).
Ky eveniment mbështetet nga Ministria e Kulturës, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Komuna e Prishtinës dhe partneri mediatik Radio Televizioni i Kosovës.
Hyrja në koncert është pa pagesë, por rezervimi është i domosdoshëm.